Fitojne Kastrioti e Bylis

Dy fitore të rëndësishme në 3 prej ndeshjeve të drekës në Superligën shqiptare. Kastrioti ia doli të fitonte 2-0 në Krujë ndaj Besës së trajnerit Ilir Daja duke i shënuar që të dy golat në pjesën e parë. Çela shënoi një gol shumë të bukur që në minutën e dytë dhe pastaj shkodrani Olsi Gocaj dyfishoi rezultatin në minutën e 35-të.
Kjo ishte një humbje e rëndë për Besën që mbante vendin e dytë në renditjen e Superligës deri para kësaj jave.
Kukësi u ndal në fushën e tij në një barazim 1-1 me Teutën e Durrësit. Edhe këtu të dy golat u shënuan në 45 minutat e para. Fillimisht, Igli Allmuça ktheu në gol një 11-metërsh në minutën e 27-të, por sulmuesi shkodran Ansi Nika barazoi në minutën e dytë shtesë të kësaj pjese. Pas 8 ndeshjeve të para në Superligë, Kukësi nuk ka asnjë humbje, por 2 fitore dhe plot 6 barazime.
Në ndeshjen tjetër të orës 14:00, Bylis fitoi thellësisht 4-0 ndaj Laçit në fushën e tij. Në Ballsh nuk pati histori dhe vendasit shënuan radhazi. Fillimisht ishte afrikani Izuçuku që realizoi dy gola në minutat 24 dhe 48, ndërsa më pas po dy gola shënoi Sefa në minutat 70 dhe 77.