E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seria A fitore e helmuar e Juves

Një gol i anuluar për vendasit dhe një gol i shënuar në pozicion të dukshëm jashtë loje nga ana e miqve nuk mund të jenë vendime që të sjellin harmoni, megjithë solidaritetin e treguar në fillim të takimit nga të dyja skuadrat.
Gjyqtari Xhervazoni dhe sidomos anësori Ricoli e fituan në këta 90 minuta antipatinë deri në urrejtje të publikut siçilian të Katanias për vendimet që morën.
Pasi një nisjeje të ekuilibruar të përballjes, vendasit kaluan në epërsi në minutën e 26-të kur Bergesio dërgoi në rrjetë një top të kthyer nga shtylla, ndërsa Katania ekzekutoi një goditje dënimi. Gjyqtari kryesor e quajti gol, por ndihmësi i tij Ricoli i bëri me dijë se e konsideroi pozicion jashtë loje.
Vendasit shpërthyen në protesta, ndërsa juventinët përfituan duke vënë ndeshjen nën kontroll. Mirko Vuçiniç humbi dy mundësi shumë të mira për shënim, duke u ndalur një herë nga mbrojtja dhe herën e dytë mrekullisht nga portieri vendas, Anduhar.
Në pjesën e dytë, siçilianët u përpoqën të shënonin, ndonëse diferenca në cilësi mes dy ekipeve ishte e dukshme. Madje, ishte Juventusi që kaloi në epërsi, me një gol të shënuar nga kileni Arturo Vidal, por ku protagonist kryesor ishte sërish gjyqtari anësor Ricoli.
Kjo, sepse goli lindi nga një pozicion i dukshëm jashtë loje i danezit Bentner, që gjuajti herën e parë dhe pastaj topin e kthyer nga Anduhar e dërgoi në rrjetë Vidal.
Katania mbeti me 10 lojtarë 24 minuta para fundit kur Markeze u përjashtua nga loja duke marrë kartonin e dytë të verdhë për një prekje të topit me dorë, gjë kjo që e lehtësoi edhe më shumë detyrën e juventinëve.
Kjo ishte fitorja e 8-të në 9 ndeshje këtë sezon në Serinë A për Juventusin, ndërsa skuadra e Antonio Kontes vazhdon të kryesojë, duke pasur 48 ndeshje radhazi pa humbje në kampionat.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›