E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleksandër Arvizu: Imuniteti po pengon hetimet, të gjendet konsensusi për ndryshimin e ligjit

15-07-2011 / Gazeta 55

Mbyllet me sukses programi “Sfida e Mijëvjeçarit”- rezultate pozitive në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit ekonomik e financiar 

SHBA shprehet edhe njëherë për domosdoshmërinë e kufizimit të imunitetit të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Në mbyllje të programit “Sfida e Mijëvjeçarit”, program i cili ka si qëllim luftën ndaj korrupsionit, krimit ekonomik financiar e krimit të organizuar, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Aleksandër Arvizu, deklaroi se Shqipëria duhet të luftojë korrupsionin përmes kufizimit të ligjit për imunitetin e zyrtarëve. Arvizu tha se çdo person duhet t’i nënshtrohet hetimit për korrupsion, qofshin këta edhe zyrtarë, duke lëshuar kështu edhe një apel për Shqipërinë, e cila sipas Arvizu “mbron zyrtarët nga ky hetim me anë të imunitetit”.
Ambasadori i SHBA-së ka kërkuar ndryshimin e legjislacionit shqiptar për sa i përket kufizimit të imunitetit për zyrtarët e lartë, duke konfirmuar kështu një qëndrim të hershëm të komunitetit ndërkombëtar. Edhe pse mazhoranca është shprehur e gatshme për kufizimin e imunitetit, mungesa e votës së opozitës, e bën të pamundur ndryshimin e ligjit me 84 vota. Ambasadori Arvizu theksoi se imuniteti pengon hetimet për zyrtarët e lartë të përfshirë në korrupsion si dhe krijon disfunksion të organeve të hetimit.
“Dua të përmend konceptin e imunitetit, sepse asnjë diskutim për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, nuk është i plotë, pa përmendur imunitetin. Kjo pamundësi për të hequr imunitetin pengon hetimet në Shqipëri. Ndërkohë që të gjitha palët duhet të vazhdojnë me axhendën që të ndryshojnë ligjet në mënyrë që ato të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë. Unë iu inkurajoj që të ndryshojnë ligjet për imunitetin”, u shpreh Arvizu.
Ambasadori amerikan ka theksuar se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, që gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë kanë imunitet ndaj duhet të shihet mundësia e ndryshimit të legjislacionit.
“Shumë vende europiane i japin role të caktuara imunitetit të kufizuar të zyrtarëve publikë, ndërsa Shqipëria qëndron e vetme në faktin që kufizon të gjitha veprimtaritë hetimore që mund të kryhen kundër gjyqtarëve dhe zyrtarëve të lartë publikë. Shumë nga ju kanë shprehur shqetësimin se duhet të jetë e vështirë të ndodhë ky ndryshim, por ju, gjithashtu jeni shprehur se kjo lloj pamundësie pengon hetimet në Shqipëri”, theksoi ambasadori amerikan, Arvizu.
Gjithashtu ambasadori i SHBA-ve, e ka cilësuar programin e mijëvjeçarit si mjaft të suksesshëm edhe pse zbatimi i Task Forcës ka qenë mjaft i vështirë. Dje është mbyllur programi “Sfida e Mijëvjeçarit”, program i cili ka si qëllim luftën ndaj korrupsionit, krimit ekonomik financiar e krimit të organizuar ku në kuadër të këtij programi është krijuar edhe Taks Forca.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›