E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi, mbrëmë ke gënjyer sa për dhjetë vjet!

15-07-2011 / Gazeta 55

Thyhen rekordet e propagandës bajate prej Edi Ramës, i cili duke u përpjekur të fshehë katastrofën elektorale, e bëri humbjen fitore, anëtarësimin në NATO e BE i cilësoi si izolim të ri dhe mediat e ndërkombëtarët i sulmoi si të njëanshëm e dashakeqë ndaj tij. Rekordi i gënjeshtrave konfirmoi informacionet jozyrtare se ai nuk është mirë nga pikëpamja shëndetësore e se po nxiton të çojë drejt unifikimit moshën e tij fiziologjike me pensionin politik

Nga dëshpërimi i humbjes, mbrëmë Edi Rama kapërceu çfarëdolloj standardi të propagandës dhe zbriti përgjatë gjithë emisionit në një llumhane politike, që endej që nga etiketimi i mazhorancës si forca që po e izolon vendin nga ndërkombëtarët e mbërrihet deri tek mallkimet për kritikët brenda forcës së tij politike apo në media, të cilët s’ia përqafuan “të vetmen rrugë” të tij. Edi Rama gënjeu për fitoren e tij, gënjeu për klimën e besimit në gjirin e PS-së e gënjeu kur tha se s’ka frymëzim të së kaluarës në partinë e tij. Edi Rama mbërriti në fantazmagoritë e propagandistëve komunistë që gjithë ditën e gjithë natën flasin për etikë e për moral, bash duke përdhosur parimin që në shtëpinë e të varurit nuk përmendet litari. Askush s’i bën fushatë me etikë e moral Edi Ramës, edhe pse ai shpesh e ka merituar një qasje të tillë politike e publicistike, por Edvinit dje i duhej të kapërcente çdo rekord. Atij i duhej të bënte humbjen fitore, dhe numëronte dhjetëra aritmetika të paverifikueshme për të bindur të vetët dhe bashkëbiseduesin se ndoshta s’kishte fituar, por të paktën humbur nuk kishte. Fliste vazhdimisht se ishte për dialog, ndërkohë që s’reshti së përsërituri se s’do të ketë dialog me kryetarin e mazhorancës.
Por gënjeshtrat më të forta, Edi Rama i këputi ndaj mediave e ndaj komunitetit ndërkombëtar. Duke vendosur gazetat dhe televizionet në bankën e të akuzuarve, ai lëshoi fatva kundër tyre, pasi s’po ia lexonin si duhet “fitoren” elektorale dhe “grabitjen” që i kishte bërë mazhoranca. Ndërkohë më ndërkombëtarët, hipokrizia u derdh lumë. Mbrëmë Edi Rama bëri sikur i respekton dhe i dëgjon miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, duke gënjyer hapur lidhur me kasnecët që ka nisur lart e poshtë për të korruptuar ndonjërin (jashtë Rumanisë, kuptohet), apo për t’i shantazhuar, në mënyrë që të përdhoset vendi e të njollosen zgjedhjet. Ai vendosi dje në gojë të ndërkombëtarëve, posaçërisht të përfaqësuesve të OSBE-së fjalë që s’janë thënë kurrë, si ta zëmë deklarata formale se rregullat e lojës u ndryshuan në fund të lojës.
Gënjeshtra më e madhe e natës së mbrëmshme gjatë intervistës “thellësisht miqësore” ishte akuza drejtuar mazhorancës e Sali Berishës se ata po e izolonin Shqipërinë. S’merret vesh se ç’hapësirë ka ndërmend për integrim nipi i Spiro Kolekës, Traktatin e Varshavës apo ASEAN-in, por vendi, nën drejtimin e kësaj mazhorance u anëtarësua në NATO dhe është në prag të marrjes së statusit kandidat për në BE, por që po pengohet sa të mundet nga bojkoti lindor i Edvinit.
Mbrëmë Edi Rama gënjeu sa për dhjetë vjet dhe duket se konfirmoi informacionet jozyrtare që vijnë nga selia e PS-së, se ai nuk është mirë nga pikëpamja shëndetësore, se ka një rënie të energjive e një bllokim psikologjik, të cilat e nxisin atë t’i djegë të gjitha etapat e të çojë drejt unifikimit moshën e tij fiziologjike me pensionin politik.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›