E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandal i Prokurorisë, heq Leonard Beqirin nga lista e dëshmitarëve në çështjen “Meta”

15-07-2011 / Gazeta 55

Pasi i dështuan ekspertizat e video-montazhit, Ina Rama heq në momentin e fundit Leonard Beqirin nga lista e dëshmitarëve, duke u përpjekur të fshehë shndërrimin e prokurorisë në një mashë në dorë të opozitës. Por avokatët e Ilir Metës gjithsesi e kanë vendosur Beqirin në listën e dëshmitarëve për sencat që do të zhvillohen në Gjykatën e Lartë

Në momentet e fundit procedurale, para se të nisë gjykimi në themel për video-montazhin e Dritan Priftit kundër ish-zv/kryeministrit Ilir Meta, prokuroria e Ina Ramës ka konsumuar një tjetër sakrilegj juridik, një tjetër paudhësi procedurale, teksa ka hequr emrin e Leonard Beqirit nga lista e dëshmitarëve të gjyqit që po nis në Gjykatën e Lartë. Për lexuesit që ndoshta s’e kujtojnë emrin e Beqirit, ai është personazhi që u shfaq në videon e Dritan Priftit, teksa i jepte një bakshish për një vendim qeveritar. Pamjet u siguruan nga një ekspertizë amerikane që kërkoi vetë prokurorja Ina Rama, pasi vetë Dritan Prifti kishte menduar se regjistrimin e kishte fshirë. Formalisht, pas këtyre pamjeve, Ina Rama nisi një tjetër hetim për Priftin dhe Beqirin dhe afërmendsh, ajo përfshiu në listën e dëshmitarëve-kyç të çështjes ish-zv/ministrin e Ekonomisë Leonard Beqiri.
Por pasi i dështuan të gjitha ekspertizat dhe pasi procedurat që ajo kishte ndjekur gjatë hetimit, për ta shndërruar procesin në një mekanizëm politik për të dëmtuar mazhorancën dhe posaçërisht LSI-në, tashmë, me nisjen e gjykimit në themel, Ina Rama ka ndryshuar strategji dhe po përpiqet që të kufizojë dëmët që i shkaktohen institucionit të saj. E shndërruar në një mashë ekstremiste të opozitës, jo zbardhja e montimit të Dritan Priftit, por degradimi i procesit dhe mosnxjerrja e së vërtetës është prioritet i institucionit të akuzës. Për këtë shkak, në momentin e fundit, Leonard Beqiri u hoq nga lista e dëshmitarëve kyç, me shpresën se për mekanizmin e mitmarrjes në ministrinë e Priftit nuk do të flitet e se lidhja e kësaj çështjeje me Edi Ramën nuk do të zbardhet.
Por merret vesh se avokatët e zotit Ilir Meta e kanë përfshirë emrin e Leonard Beqirit në listën e dëshmitarëve të tyre dhe duhet parë se si do të ndjehet prokuroria e shpërdoruar nga opozita në një proces që s’i bindet urdhrit politik të partisë së pinjollëve të diktaturës komuniste.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›