Aleksandër Biberaj do të hetojë krimet e Stalinit
Aleksandër Biberaj do të jetë “hetuesi” i krimeve të tmerrshme të Stalinit. Ky hetim do të bëhet për llogari të Këshillit të Evropës, i cili ka parë të arsyeshme që të ngarkojë me këtë detyrë pikërisht një deputet shqiptar, i cili mban disa detyra në KE. Përvoja shqiptare do të jetë patjetër një plus i madh për Biberajn që do ta ndihmojë në këtë detyrë te re. Eksperienca shqiptare e komunizmit i jep atij armën njerëzore në kërkimin e provave rrëqethëse për atë që u quajt “kriza e urisë” dhe që ishte një nga masakrat më të mëdha të komunizmit stalinist. Siç bën të ditur zyra e shtypit pranë deputetit të Partisë Demokratike Biberaj, Komiteti Politik i Këshillit të Evropës ka miratuar propozimin e Grupit Parlamentar të PPE-së në KE, që deputeti Aleksandër Biberaj, njëkohësisht kryetari i Delegacionit Shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KE-së dhe zv.president i kësaj asambleje, të jetë përfaqësues i KE-së për të zbardhur se çfarë ka ndodhur realisht në Ukrainë dhe në ish-republikat e tjera të Bashkimit Sovjetik, gjatë viteve 1932-1933. Në këto vite, regjimi i Stalinit po aplikonte me dhunë politikat çnjerëzore të shpronësimeve dhe të kolektivizimeve masive. Vendi u përball gjatë kësaj kohe me një terror politik të jashtëzakonshëm, që në histori njihet si "terrori masiv i urisë", me pasojë vdekjen e miliona njerëzve në Ukrainë, si dhe në ish-republikat e tjera të Bashkimit Sovjetik. Në janar të këtij viti, nga 59 deputetë të Asamblesë Parlamentare të KE-së u paraqit kërkesa për raport dhe rezolutë mbi "Domosdoshmërinë e dënimit ndërkombëtar të Holodomorit (vdekje nga uria) në Ukrainë gjatë viteve 1932-1933". Ndërsa në mars, një kërkesë tjetër u paraqit nga 10 deputetë të Asamblesë për raport dhe rezolutë mbi "75-vjetorin e urisë masive në territorin e ish-Bashkimit Sovjetik".
Komiteti Politik vendosi bashkimin e këtyre dy kërkesave në një raport, titullin e të cilit do ta propozojë zoti Biberaj dhe do ta miratojë mbledhja e radhës e Komitetit Politik (5 shtator 2008, Paris). Ky raport do të jetë një ndër raportet më të rëndësishme të Këshillit të Evropës gjatë periudhës në vazhdim. Ai konsiderohet si vazhdimësi e raportit, që KE-ja miratoi në muajin janar të vitit 2006, "Për domosdoshmërinë e dënimit të krimeve të regjimeve totalitare komuniste", i përgatitur në atë kohë nga deputeti suedez, zoti Goran Lindlad, aktualisht kryetar i Komitetit Politik të KE-së. Sipas rregullores së KE-së, zoti Biberaj do të hartojë raportin me rezolutën dhe rekomandimet përkatëse, të cilat do t'i paraqiten pastaj për debat dhe miratim Komitetit Politik dhe Asamblesë Parlamentare të KE-së.