Firmoset memorandumi për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën
Drejtori i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë, Ymer Balla, si dhe homologu i tij kosovar, Fadil Ismaili, nënshkruan dje memorandumin e mirëkuptimit për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV, Tiranë - Prishtinë. Gjatë nënshkrimit, Balla u shpreh se ndërtimi i linjës së interkonjeksionit prej 400 kv, parashikon një investim prej rreth 54 milionë eurosh, ku 30 milionë euro duhet të investohen nga pala shqiptare dhe pjesa tjetër prej 24 milionë eurosh do të investohen nga pala kosovare. Kreu i OSSH-së, Balla, tha se për këto fonde po negociohet me institucione monetare ndërkombëtare si BERZH, BEI dhe KFW për ndërtimin e kësaj linje. Ndërkohë, kreu i Operatorit të Transmetimit të Tregut të Kosovës, Fadil Ismaili, u shpreh se aktualisht qeveria gjermane nëpërmjet Bankës së Kosovës ka shprehur interes për financimin e 16 milionë eurove, për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Tiranë - Prishtinë. Projekti për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit pritet të fillojë në vitin 2009, ndërsa sipas projektit, punimet parashikohet të zgjasin 20 muaj. Linja e interkonjeksionit, Tiranë - Prishtinë prej 400 kV është një ndër projektet që po zhvillohet në kuadër të zhvillimit rajonal në Evropën Juglindore. Kjo linjë do të ndërlidhë Shqipërinë me Kosovën dhe do të mundësojë lidhjen e dy sistemeve, të cilët së bashku pritet të operojnë në mënyrë optimale.