E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i BB-së; PD, Vlerësohet progresi i Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit

Partia Demokratike përshëndeti dje raportin e Bankës Botërore mbi Indikatorët Botërorë të Qeverisjes, i cili është tregues i qeverisjes së mirë në drejtim të zhvillimit dhe shërben si monitorues për performancën e qeverisjes. Sipas zyrës së shtypit pranë PD-së, indikatorët e qeverisjes së mirë të cilët maten në këtë raport, përfshijnë lirinë e fjalës, stabilitetin politik, efektivitetin e qeverisjes, cilësitë rregullatore, shtetin ligjor, dhe kontrollin e korrupsionit. "Ky raport i Bankës Botërore tregon se qeverisja në Shqipëri ka patur rritje në secilin prej indikatorëve dhe është duke bërë progres të rëndësishëm sidomos në kontrollin e korrupsionit dhe në efektivitetin e qeverisjes. Po të krahasohen vlerat e indikatorëve mes viteve, vihet re qartë ecuria pozitive e rritjes se tyre nga viti në vit dhe sidomos në krahasim me qeverisjen e mëparshme", - thuhet në njoftimin për shtyp të selisë së PD-së. Sipas këtyre burimeve, "vlerësohet se ky është një tregues i qartë i punës së qeverisë dhe arritjeve të saj në përmbushjen e një sërë objektivash, duke përfshirë këtu edhe prioritetet si lufta ndaj korrupsionit, vendosja e shtetit ligjor dhe rritja e efikasitetit të qeverisë".

PS: Raporti kërkon më shumë reforma

Ndryshe e ka lexuar raportin e BB-së Partia Socialiste. Sekretari organizativ në PS, Blendi Klosi, reagoi dje ndaj raporteve monitoruese të ndërkombëtareve për Shqipërinë, të cilat sipas tij, "tërheqin vëmendjen për hapat e mangët në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës". Sipas tij, “është shqetësues fakti që, ndërsa mbarë opinioni publik dhe opozita, përmes një politike të re konstruktive, jep një mbështetje totale për reformat integruese në BE, vendi ynë, Shqipëria, të mbetet nën mesataren e rajonit dhe mbas vendeve fqinje në drejtim të lirisë së fjalës dhe përgjegjshmërisë qeverisëse, stabilitetit politik, efikasitetit qeverisës, shtetit të së drejtës dhe kontrollit të korrupsionit”. Ndërkaq, duke marrë shkas nga raporti i fundit i Bankës Botërore, PS-ja "shpreh shqetësimin se qeveria aktuale në vend që të përqendrohet në realizimin e reformave konkrete në këto fusha, përdor demagogjinë për të mbuluar këtë hendek të identifikuar në raportet e institucioneve ndërkombëtare". Në raportin e BB-së "vlerësimin më të dobët Shqipëria e ka në drejtim të shtetit të së drejtës dhe në drejtim të kontrollit të korrupsionit, të dyja këto elemente nën përgjegjësinë direkte të ekzekutivit", - tha sekretari Klosi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›