Ruli: Do të bashkëpunojmë me Kosovën në sektorin e energjisë elektrike
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Genc Ruli, si dhe zv.ministri i Energjitikës dhe Minierave të Kosovës, Bedri Hamza, ranë dakord për rritjen e bashkëpunimit në sektorin e energjisë elektrike. Gjatë punimeve të forumit "Krijimi i Tregjeve të Hapura Shqiptare dhe Rajonale Energjitike dhe Minerare", që u zhvillua në kuadër të panairit të Konfindustrisë merrnin pjesë edhe drejtues të KEK-ut, KESH-it, KOST-it, OST-së, si dhe industrialistë dhe investitorë të rëndësishëm të sektorit energjitik dhe minerar nga rajoni. Ministri Ruli, në fjalën e tij u shpreh se fuqizimi i interkonjeksionit elektrik do të bëjë të mundur që burimet hidrike të Shqipërisë dhe ato termike të Kosovës të shfrytëzohen me eficencë të plotë në dobi të të dy vendeve dhe pjesëmarrjes së tyre në tregun rajonal. "Për këtë qëllim në fokusin e bashkëpunimit tonë në fushën e energjisë është edhe ndërtimi i linjës së interkonjeksionit prej 400 kV Tiranë - Prishtinë dhe integrimi i mëtejshëm i sistemeve elektrike", - u shpreh Ruli. Sipas ministrit Ruli, në kuadër të zhvillimit rajonal, një ndër opsionet e ndryshme të zhvillimit të linjave të reja të interkonjeksionit në Evropën Juglindore është edhe linja 400 kV, e cila do të ndërlidhe Shqipërinë me Kosovën dhe që do të mundësojë lidhjen e dy sistemeve, të cilat së bashku do të operonin në mënyrë optimale. Ndërkohë që sipas Rulit, marrëveshja për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Tiranë - Podgoricë pritet t'u japë zgjidhje problemeve që ka Shqipëria me kapacitetet importuese. "Ndërtimi i kësaj linje do të dyfishojë kapacitetet importuese të energjisë që ka Shqipëria", - deklaroi Ruli.