Luan Rama, apel socialistëve: Bashkohuni me LSI-në
Lufta mes PS-së dhe LSI-së për t’i marrë njëra-tjetrës anëtarë dhe ish-figura drejtuse nuk ka mbaruar. Madje, mund të thuash që ajo sapo ka nisur dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e ka marrë tepër seriozisht këtë gjë, duke pasur parasysh se në zgjedhjet e 2009-ës ajo do të futet e vetme dhe synon sa më shumë elektorat të majtë. Në fushatën për të dëmtuar PS-në dhe për të afruar pranë vetes njerëz me potencë të saj dhe sigurisht anëtarë të thjeshtë, LSI-ja ka një As nën dorë. Luan Rama, një nga figurat më të vjetra të PS-së, ish-deputet i saj dhe ish-themelues, po ndihmon në këtë tentativë të LSI-së. Pasi bëri lëvizjen e madhe në karrierën e tij politike, duke lënë teserën e PS-së e duke marrë atë të LSI-së, Luan Rama ka ftuar të gjithë socialistët e tjerë që ta ndjekin pas. Gjatë tubimit të djeshëm në Berat, ku ai ishte krah Ilir Metës, Rama është shprehur se “LSI-ja ka në fokusin e vet ridimensionimin e vlerave reale të së majtës moderne dhe demokratike në Shqipëri dhe ridimensionimin e vlerave reale të opozitës në Shqipëri”. Ai ka paralajmëruar se “ne do të jemi bashkë në një proces të gjatë që do të vazhdojë me prurje të reja dhe personalitete të tjera që kanë kontribuar në PS, personalitete ku PS-ja ka investuar, por që nuk u jepet mundësia sikurse rasti im, t'ia kthejnë me kontribute për të rritur rolin e saj opozitar”. Duke mbrojtur tezën e Metës që kundërshton bashkëpunimin mes dy partive të mëdha për ndryshimet kushtetuese, Rama tha se “besoj se në këto momente kur për fat të keq, po vuajmë pasojat e kapjes së një pjese të lidershipit të PS-së nga ana e Berishës, të majtët e vërtetë kanë reflektuar qartë në ndryshimin pa kushte të Kushtetutës në natën e 21 prillit, që i dha këtë pushtet të pakontrolluar dhe të papërmbajtur Berishës, unë jam i bindur jo vetëm po bashkohen gjithnjë edhe më shumë forca politike të opozitës”. Ndërkohë, ai shtoi: “Jam i bindur se ky është një proces që ecën edhe në harmoni të plotë në reflektimin e të gjithë socialistëve të vërtetë që ndihen të tradhtuar nga lidershipit i tyre”. Afrimin me LSI-në Luan Rama e cilësoi si “një detyrim për të gjithë të majtët e vërtetë që duan që Shqipëria të mos drejtohet më nga kjo dyshja që për interesa personale shesin dinjitetin e kombit tonë.
Detaj
Ne do të jemi bashkë në një proces të gjatë që do të vazhdojë me prurje të reja dhe personalitete të tjera që kanë kontribuar në PS, personalitete ku PS-ja ka investuar
Detaj
Ne do të jemi bashkë në një proces të gjatë që do të vazhdojë me prurje të reja dhe personalitete të tjera që kanë kontribuar në PS, personalitete ku PS-ja ka investuar