Berisha: Shqipëria ofron çdo mundësi investimi
Nga Monte Karlo Kryeministri Sali Berisha fton biznesmenët në mbarë botën, amerikane dhe ata evropiane, që të investojnë në Shqipëri, si një vend me taksat më të ulëta në tërë kontinentin. Sipas tij, Shqipëria përfaqëson mundësi të mëdha investimesh, energjitike, turizmit, të infrastrukturës, të telekomunikacionit, të bujqësisë dhe ujit, të industrisë minerale, të industrisë financiare dhe fondeve të investimeve. Por, Shqipëria ofron potenciale të mëdha për investime edhe në sektorë të tjerë, si bankat, sigurimet dhe në pasuritë e paluajtshme. Këtë siguri dha në “Crans Montana Forum” Kryeministri Sali Berisha. Në Monte Karlo, shefi i qeverisë shqiptare zhvilloi takime të rëndësishme teksa u ftua dhe në drekën e presidentit të këtij forumi, z.Jean Paul Carteron. Në fjalën e tij Kryeministri Berisha përshëndeti pjesëmarrësit për interesimin e tyre për këtë takim dhe i ftoi ata të investojnë në Shqipëri duke i informuar se Shqipëria përfaqëson mundësi të mëdha në këtë drejtim. Gjithashtu, Kryeministri Berisha i njohu pjesëmarrësit në Forumin e Krans Montanës me përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe angazhimin e saj për krijimin e një klime sa më të përshtatshme për biznesin. Kryeministri tha se investimi në Shqipëri është një histori suksesi jo vetëm për shkak të potencialeve të mëdha që ajo ofron, por edhe si pasojë e reformave të thella ekonomike dhe revolucionit në fushën fiskale, që e kanë kthyer Shqipërinë në një nga vendet me taksat më të ulëta në Evropë. Kryeministri Berisha u ndal veçanërisht në reformat në fushën ekonomike dhe përpjekjet e qeverisë shqiptare për krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin. Nga ana e tyre, pjesëmarrësit në këtë darkë vlerësuan progresin që ka bërë Shqipëria gjatë viteve të fundit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. Gjatë qëndrimit në Monte Karlo, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me ministren e Shtetit të Emirateve të Bashkuara, znj. Reem Al-Hashimy. Gjatë këtij takimi Kryeministri i përcolli ministres Al-Hashimi falënderimet për ndihmën që Emiratet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë. Kryeministri e njohu znj. Al-Hashimi me klimën e favorshme për biznesin të krijuar në Shqipëri dhe e siguroi për mbështetjen e qeverisë për investitorët e Emirateve të Bashkuara për të investuar në vendin tonë. Po dje, Kryeministri Berisha zhvilloi në Monte Karlo një takim me Presidenten e Shoqatës Ekonomike të Kuvajtit, znj. Rola Dashti. Kryeministri Berisha falënderoi qeverinë e Kuvajtit për ndihmën e dhënë Shqipërisë dhe ftoi biznesin kuvajtian të investojë në Shqipëri në fushën e turizmit dhe transportit.
Më tej Kryeministri i kërkoi znj. Dashti inkurajimin e më shumë investitorëve të tjerë kuvajtianë për të investuar në Shqipëri.
Më tej Kryeministri i kërkoi znj. Dashti inkurajimin e më shumë investitorëve të tjerë kuvajtianë për të investuar në Shqipëri.