Topalli në Kalimash: Kjo rrugë e bën Shqipërinë evropiane
Ashtu siç i ka ndodhur Kryeministrit Berisha, personaliteteve të tjera apo qytetarëve të thjeshtë edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka mbetur pa fjalë gjatë vizitës në rrugën e re që po ndërtohet në Kalimash. Pasi bëri inspektimin e punimeve në dy tunelet e Kalimashit, në segmentin Rrëshen- Kalimash, pjesë e autostradës Durrës - Kukës - Morinë, Topalli u shpreh se kjo vepër gjigande e bën Shqipërinë më evropiane. “Ndërtimi i tuneleve në këtë terren të thyer malor është një mrekulli e inxhinierisë”, - vlerësoi në një prononcim për gazetarët znj. Topalli, duke cilësuar se me këtë tunel ne po shohim se si një nga zonat më të braktisura në vend po kthehet në një nga më modernet në aspektin infrastrukturor. Duke iu referuar të dhënave nga drejtuesit e punimeve Kryeparlamentarja Topalli informoi se “deri tani punimet në tunele janë realizuar në masën 50.2 për qind“. Tunelet e Kalimashit janë 2 shpime paralele, 5.5 km secili. Duke e konsideruar autostradën Durrës - Kukës - Morinë, si një vepër që lidh Shqipërinë me tregjet e Kosovës dhe që normalisht do të ndikojë në ekonominë e të dy vendeve, znj. Topalli nënvizoi se “është e pabesueshme që për një vit po realizohen 27 ura, një numër ky shumë herë më i lartë se ai i urave të realizuara në 15 vitet e fundit”. Kryetarja e Kuvendit, e shoqëruar nga një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, inspektoi sot disa prej kantiereve të ndërtimit të segmentit Rrëshen - Kalimash, pjesë e autostradës Durrës - Kukës - Morinë, vepra më e madhe infrastrukturore e vendit, që pritet të përfundojë vitin e ardhshëm. Kryeparlamentarja shoqërohej nga deputetët Lajla Përnaska, Albert Faruku, Rahim Kaleci, Pal Dajçi, Gjok Vuksani, Gjovalin Prenga, Safet Sula, Leonard Demi dhe Aurel Bylykbashi. Punimet në rrugën Rrëshen - Kalimash, segmenti i tretë, po kryhen nga kompania Bechtel Enka në lartësinë 800 metra mbi nivelin e detit. Në këtë segment kanë përfunduar rreth 80 për qind e gërmimeve dhe e mbushjeve, ndërkohë që llogaritet se është hapur 7 km nga tuneli në rrugën nacionale.