E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregu financiar, AMF-ja nuk mund të shmangë detyrën e gjallërimit

Tregu financiar nuk përbëhet vetëm me aktivitetin e bankave të nivelit të dytë. Ai ka edhe një treg financiar që funksionon me institucione financiare jo-banka. Si paraqitet tregu i aktiviteteve financiare jo-banka në vendin tonë? Sipas specialistëve në disa drejtime, ka rritje të dukshme, që po pengohet artificialisht nga institucione shtetërore. Në disa të tjera, situata është latente, edhe këtu, direkt apo indirekt, për faj të shtetit. AMF-ja (Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare) sipas specialistëve, duhet të ndërhyjë për ta gjallëruar këtë treg.

Tregu i Sigurimeve

Në gjithë tregun financiar jobankar, sektori i sigurimeve udhëheq bindshëm, me një xhiro të fuqishme vjetore dhe me një ekspansion në të gjitha drejtimet e këtij aktiviteti. Ka qenë kjo performancë, që ka bërë të mundur tërheqjen e kapitalit të huaj, i cili, në sektorë të tjerë të ekonomisë shqiptare është treguar shumë “i matur” për të ndërhyrë financiarisht.

Sipas statistikave zyrtare, në periudhën janar-prill të këtij viti numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 178,124, duke shënuar një rritje prej rreth 16.64% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Rritja e numrit të kontratave në 2008-ën u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në mbi 2 miliardë lekë, shifër kjo 14.73% më e lartë se ajo e të njëjtës periudhë të vitit 2007. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, që sollën rreth 92% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 8%.

Por, gjatë kësaj periudhe, sigurimi i detyrueshëm vazhdoi të dominojë në tregun shqiptar, duke sjellë rreth 62% të të ardhurave nga primet e shkruara bruto të sigurimeve. Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit të TPL-së së brendshme në këtë periudhë të vitit 2008 ishin rreth 917 milionë lekë. Në periudhën janar-prill 2008, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të Kartonit Jeshil arritën rreth 314 milionë lekë, ose 11.98% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2007, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 3.43% krahasuar me të njëjtën periudhë.

Vëllimi i primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar arriti shifrën 775 milionë lekë, me një rritje prej 36.95% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë dhe rreth 36.67% rritje të numrit të kontratave të sigurimit. Në portofolat e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 394 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë sigurimet nga zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 51%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 24% dhe sigurimi i garancisë me 13%.

Në nivele në rritje për këtë periudhë ishin sigurimet e përgjegjësisë, duke zënë 24% të sigurimeve të pronës, përgjegjësive dhe garancive, me një rritje prej rreth 102% krahasuar me 4-mujorin e parë të vitit 2007.

Kurse vëllimi i primeve të sigurimit të Jetës ishte rreth 157 milionë lekë me një rritje prej 61.43% krahasuar me janar-prill 2007.

Tregu i kapitaleve

Shqipëria nuk ka pasur kurrë në historinë e saj një treg kapitalesh, deri në dhjetëvjeçarin e mëparshëm. Publiku filloi të mësojë konceptet e para mbi kompanitë private, aksionet dhe aksionerët vetëm pas fillimit të procesit të privatizimit të kompanive shtetërore, në vitin 1991. Kuadri ligjor në këtë drejtim është i plotë dhe në vend ekzistojnë operatorë që kanë krijuar tashmë kërkesë-ofertën për letra me vlerë. Ofruesi më i madh i letrave me vlerë në treg është pa dyshim qeveria shqiptare, e cila emeton letra të borxhit publik. Deri tani, ende nuk janë emetuar treg letra me vlerë të borxhit të qeverisjes lokale (obligacione bashkiake).

Por, gjendja në këtë sektor është në një fazë jashtëzakonisht fillestare, madje të paimagjinueshme për një vend me ekonomi tregu. Bursa është tregu i mirëfilltë i kapitalit. Nuk ka kapitalizëm pa bursë; nuk krijohet klasa e kapitalistëve pa tregun e kapitalit. Mungesa e funksionimit real të Bursës, ekzistente, por pa asnjë lloj funksioni, ka bërë, veç të tjerash, që paratë e shqiptarëve të mos investohen në Shqipëri, por, nga ana tjetër, ka larguar edhe shumë investitorë potencialë të huaj, që janë mësuar të punojnë në kushte të ndryshme të tregut financiar.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka vepruar në këtë drejtim thjesht, si një organ pa pikë ndikimi. Ai mund të kishte bërë shumë më tepër në drejtim të ndikimit ndaj segmenteve të tjera të shtetit për zhvillimin e tregut të kapitaleve nëpërmjet listimit të ndërmarrjeve shtetërore në bursë (Bursa e Tiranës ende nuk po përfshihet në procese të privatizimit të ndërmarrjeve të mbetura në pronësi të shtetit – ARMO, INSIG etj). Por, si mund të kishte bërë shumë herë më tepër me nisma ligjore për rigjallërimin e këtij “tregu të vdekur”, ku shiten e blihen vetëm bono thesari, veprim, që mund ta kryejë edhe një zyrë e thjeshtë brokerimi.

Sipas specialistëve të financave, ekziston një numër i caktuar kompanish (15-20) me strukturë të larmishme kapitali (shtetërore, mikse, private), të cilat i plotësojnë kriteret e listimit në Bursën e Tiranës.

Por, edhe tregu sekondar i letrave me vlerë të borxhit publik (bono thesari dhe obligacione shtetërore) ka mbetur i pazhvilluar, kryesisht për shkak të shkallës së lartë të likuiditetit që kanë operatorët kryesorë, bankat tregtare, të cilat i mbajnë këto instrumente në portofolin e tyre deri në fund të datës së maturimit.

Tabelë

TREGU I AKSIONEVE

647 mijë aksione u tregtuan vjet në tregun e zi

Mbi 13 milionë aksione të tilla janë shitur në vite

Në bazë të ligjit "Për Shoqëritë Tregtare", të gjitha shoqëritë, që kanë mbi 50 aksionerë, duhet të regjistrohen pranë një regjistri të pavarur e të specializuar

Në fund të vitit 2007, Qendra e Regjistrimit të Aksioneve numëron vetëm 49 shoqëri aksionere të regjistruara, 14 prej te cilave janë institucione financiare (3 banka, 10 kompani sigurimesh dhe 1 regjistrues letrash me vlerë).

Bursa e Tiranës është krijuar që në vitin 1996

Nuk ka asnjë shoqëri tregtare të listuar

Pensionet private

Që nga viti 2006, ekzistojnë në vend tri kompani të fondeve private të pensioneve, por nuk po shtohet asnjë tjetër. As opinioni nuk ka arritur të bindet lidhur me vlerën e shërbimeve, që ofrojnë këto kompani, shumë të përhapura në botë, por, nga ana tjetër, as Autoriteti i Mbikëqyrjes nuk ka ushtruar, në një farë mënyre, një rol promovues, nxitës, në fushën e nismave ligjore apo incentivave të ndryshme, për shtytjen e këtyre aktiviteteve financiare.

Tabelë

FONDET E PENSIONEVE PRIVATE SUPLEMENTARE

Instituti Amerikan i Pensioneve Private Suplementare të Shqipërisë

Drejtor Ekzekutiv Arjan KRAJA

Lloji i Pronësisë Shoqëri me kapital privat

vendas + kapital të huaj

Data e fillimit 01.01.2006

GARANTSIG Instituti Privat i Pensioneve

Drejtor Ekzekutiv Kiço LOLI

Lloji i Pronësisë Shoqëri me kapital privat vendas

Data e fillimit 01.01.2006

CAPITAL Instituti Privat i Pensioneve

Drejtor Ekzekutiv Themistokli ADHAMI

Lloji i Pronësisë Shoqëri me kapital privat vendas

Data e fillimit 01.03.2006

Liberalizimi i TPL-së? Shpresat tek ligji i ri

Burime zyrtare nga Ministria e Financave (i cili është institucioni zyrtar vendimmarrës), pohojnë se për momentin, nuk mund të thonë asgjë konkrete lidhur me liberalizimin e TPL-së. Sipas tyre, po hartohet ligji i ri për sigurimet dhe së shpejti ky ligj do t’u dërgohet dhe do të diskutohet me të gjithë aktorët e interesuar. Vetëm më pas do të mund të flitet konkretisht nëse do të ketë apo jo një liberalizim të çmimit të TPL-së.

Shoqata e Siguruesve ka deklaruar prej kohësh se ligji për sigurimin e detyrueshëm të mbajtësve të mjeteve motorike (TPL), është hartuar dhe ka hyrë në fuqi që në vitin 1991, periudhë kjo, kur tregu i sigurimeve ka qenë i përfaqësuar vetëm nga një kompani shtetërore dhe kur numri i mjeteve motorike ka qenë i papërfillshëm. “Dinamika e tregut shqiptar aktual të sigurimeve, e numrit të automjeteve në qarkullim, logjikshëm nuk mund të përballohet nga një ligj, i hartuar 17 vjet më parë, ndaj ne kërkojmë liberalizimin e tarifave të sigurimit TPL dhe hartimin e një ligji të ri mbi këtë produkt, që të ezaurojë nevojat e tregut, operatorëve, konsumatorëve dhe shërbimeve të ofruara, sipas standardeve dhe direktivave të BE-së”, - shprehet SHSSH-ja në letrën e saj, dërguar autoriteteve shtetërore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›