E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleksandër Meksi: “Parlamenti të ketë 120 deputetë dhe jo 140

Ish-kryeministri propozon që pragu do ishte mirë të rritej në 4% (8% për koalicionet) , ose radhën e parë 3% dhe 6% dhe zgjedhjet pasuese në 4% dhe 8%. “Vota e numëruar të mund të shikohet në publik ”
Shaban Sulçe

Ish- kryeministri, Aleksandër Meksi, vlerëson se moszhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për afro 10 vjet kanë qenë çështja kryesore që ka kushtëzuar procesin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies, përparimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, afrimin me Evropën dhe pranimin e Shqipërisë në NATO, si dhe ka kushtëzuar qetësinë, rendin publik, dhe luftën kundër kriminalitetit dhe trafiqeve. Sipas tij, thelbi i gjithë problematikës zgjedhore kanë qenë listat e zgjedhësve, çertifikatat, dokumentet e identitetit me të cilat voton zgjedhësi, komisionet zgjedhore dhe numërimi i votave dhe ankimi për to. Meksi afron disa ide në formën e një platforme për reformën zgjedhore, të cilat sipas tij nuk është se shterrojnë të gjithë problematikën, por përpiqen të japin një kontribut me qëllim shkëputjen një herë e mirë të vendit nga kriza e besimit për zgjedhje të lira dhe demokratike. Sipas tij, parlamenti nuk duhet të ketë më shumë se 120 deputetë, nga 140 që janë aktualisht.
Listat
Sipas tij, pa lista zgjedhësish nuk mund të kryhen zgjedhje, sepse individi shkon të votojë në qendrën ku është i regjistruar në gjendjen civile. “Qytetari është i detyruar, të regjistrohet aty ku ka vendbanimin. Në Shqipëri ka pasur lëvizje të jashtëzakonshme të popullsisë, e cila dhe për pak kohë besoj se do të vazhdojë. Njerëzit kanë të drejtë ta mbajnë ku të duan gjendjen civile, por njerëzit duhet të votojnë vetëm atje ku janë të regjistruar”, nënvizon Meksi. Sipas tij, shteti duhet tu japë mundësinë të gjithë të shpërngulurve që dëshirojnë të transferojnë gjendjen civile, që të regjistrohen në vendin e ri të banimit dhe ti ndihmoj që këtë ta bëjnë pa asnjë kosto. Pas kësaj, propozon Meksi, duhet vënë një afat kohor që të shpallen listat e tu jepen partive dhe ato ti verifikojnë nëse janë apo jo të vërteta. Paralelisht me këtë sipas tij, duhet bërë menjëherë modernizimi i sistemit të gjendjes civile(regjistri dhe adresat).
Dokumentat e identifikimit
Ish-kryeministri sqaron se në vendin tonë votohet me pasaportën për jashtë, që nuk është e sigurt, me letërnjoftimin i cili mund të quhet më i sigurtë nëse nuk është i dëmtuar dhe me çertifikatat e gjendjes civile, të cilat si dhe pasaportat, janë po aq të pasigurta. Sipas tij, dihet mirë cilat janë standardet e sigurisë për dokumentet e identitetit që kërkojnë SHBA dhe vendet e Evropës. Meksi është i mendimit se duhet të jenë pikërisht SHBA dhe Europa ato që duhet të na përcaktojnë standardet që duhet të plotësojnë dokumentet tona, për të qenë të pranueshme dhe të besueshme. “Ata të na tregojnë dhe se ku bëhen këto, d.m.th se ku i kanë bërë dhe ata vetë, dhe menjëherë të bëheshin. Nuk është shteti që i paguan. Janë qytetarët që do t’i blejmë, ama e dimë ne dhe të tjerët se kush është poseduesi i saj, d.m.th. ka iridën e syrit, dhe shenjat e gishtërinjve e të tjera dhe problemi do të ishte i mbyllur”, sqaron Meksi, dhe të mos e “tendosi” shteti këtë e aq më tepër ta japi me koncesion.Kjo nuk siguron tënat personale çka është antikushtetuese.
Numërimi i votave
Meksi propozon që grupet e numërimit të votave në publik të zgjidhen me short ndërmjet njerëzve që paraqesin forcat e majta, forcat e djathta dhe administrata shtetërore. Ky komision tresh, sipas tij, komisioni i mësipërm ( ai zonal apo i komunës-bashkisë), bën numërimin në publik, duke pasur të gjitha partitë që kanë kandidatë vëzhgues të pranishëm.Më mirë akoma do të ishte të numëroheshin votat në një vend në qendër të Qarkut, në prani të mediave dhe të huajve. Vota të quhet e pavlefshme vetëm kur ajo nuk interpretohet dot se kujt i është dhënë. “Vota shikohet në një ekran të ekspozuar dhe nëse vëzhguesit e partive kanë kundërshtime kërkojnë rinumërimin, nëse ky rinumërim nuk bëhet aty ose bëhet dhe prapë kontestohet, të ketë rinumërim në Kolegjin e Posaçëm Zgjedhor, gjithnjë në prani të publikut dhe mediave”, propozon Meksi. Kjo sipas ish- Kryeministrit do të thotë se për komisionin e zonës elektorale në rastin e zgjedhjeve politike, dhe në qendrat e komunave e bashkive në rastin e zgjedhjeve lokale bëhet numërimi i votave, ndërsa rinumërimi të bëhet nga një treshe gjyqtarësh që zgjidhet me short dhe i veçantë për çdo kontestim, po prapë në publik, në prani të vëzhguesve të partive e të shoqatave të autorizuara, të mediave dhe vëzhguesve të huaj. Meksi gjykon se numërimi dhe rinumërimi në publik i votave është e vetmja mënyre për të ditur rezultatet vërteta të zgjedhjeve. Ish- kryeministri vlerëson se në qoftë se plotësohen këto aspekte të procesit zgjedhor: listat, certifikatat, numërimi dhe komisionet, do të jetë e mundur që të kemi rezultat maksimalisht të pranueshëm nga të gjithë. Sipas tij, KQZ duhet të ridimensionohet dhe të mos jetë me përfaqësues politik. Komisioni qendrës së votimit apo dhe zonale në komuna dhe bashki, duhet të jenë me numër të kufizuar anëtarësh, por me vëzhgues.

Propozime të paketës “Meksi”

Sistemi

Sistemi zgjedhor të mbetet i pandryshuar sepse praktika e deritanishme nuk ka vërtetuar se vetë sistemi ka qenë burimi apo shkaku i parregullsive në zgjedhje.Në Kod të thuhet se zgjedhjet bëhen në njëjtën ditë-kjo eliminon “Dushkun”.Po kështu Fleta e Votimit të jetë e njejtë për kandidatin dhe partinë apo koalicionin.Votimi i 2005 ishte antikushtetues se u bë me një raund dhe transferim vote me dy fletë votimi (Pylli i Dushkut).
Në se do i përmbahemi Ligjit ’92-2001(proporcional i personalizuar), votimi duhet të jetë me dy raunde që lehtëson koalicionet dhe shmangen pazaret(zona të lira e tjera) dhe deformim i vullneti të zgjedhësve.Jam kundër proporcionalit pa vota preferenciale, dmth votuesit duhet ta dinë për kë votojnë dhe për jo të zgjidhen ilakat e Kryetarit të përjetshëm. Ndryshimi i sistemit zgjedhor kërkon ndryshimin e dispozitave përkatëse në Kushtetutë, të cilat mund të bëhen nëpërmjet një procedure legjislative të komplikuar.Çdo sistem tjetër( të gjithë janë demokratik) duhet të ketë të njejtat garanci.Në se do të ketë maxhoritar me një raund, zonat duhet të jenë detyrimisht të barabarta. Pragu do ishte mirë të ritej në 4% (8% për koalicionet) , ose radhen e parë 3% dhe 6% dhe zgjedhjet pasuese Në 4% dhe 8%. Do të ishte dobishme që Kuvendi të kishte 120 deputetë.

Listat

Shteti duhet tu japë mundësinë të gjithë të shpërngulurve që dëshirojnë të transferojnë gjendjen civile, që të regjistrohen në vendin e ri të banimit dhe ti ndihmoj që këtë ta bëjnë pa asnjë kosto. Paralelisht me këtë duhet bërë menjëherë modernizimi i sistemit të gjendjes civile.

Dokumentet

SHBA-tw dhe Europa të na përcaktojnë standardet që duhet të plotësojnë dokumentet tona të identifikimit, për të qenë të pranueshme dhe të besueshme. Ata të na tregojnë se ku bëhen, d.m.th. se ku i kanë bërë vetë dhe menjëherë të bëhen. Nuk është shteti që i paguan.

Numërimi

Numërimi dhe rinumërimi i votave duhet të bëhet në publik.
Grupet e numërimit të zgjidhen me short ndërmjet njerëzve që paraqesin forcat e majta, forcat e djathta dhe administrata shtetërore. Vota shikohet në një ekran të ekspozuar dhe nëse vëzhguesit e partive kanë kundërshtime, kërkojnë rinumërimin.

Gjykata

Përsa i përket gjykatës, ajo duhet të jetë gjykatë me tre anëtarë, që zgjidhet me short për çdo rast të rinumërimit të votave nga tërësia e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatave të Apelit. Hidhet short për rinumërimin e parë, ata që mbeten hidhen me short për rinumërimin e dytë e me radhë.

Si duhet të jenë Gjykatat zgjedhore

Ish-kryeministri Aleksandër Meksi propozon një rikonceptim të ri të Gjykatës, e cila do të merret me ankimimet që do të dalin nga procesi zgjedhor. Përsa i përket gjykatës, sipas tij, ajo duhet të ketë në përbërje një gjykatë me tre anëtarë, që zgjidhet me short për çdo rast të rinumërimit të votave nga tërësia e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatave të Apelit. Sipas tij, zgjedhja e tyre bëhet duke i hedhur me short në rinumërimin e parë, ndërsa ata që mbeten do të hidhen me short për rinumërimin e dytë e me radhë. “Në këtë mënyrë shpenzimet do të jenë më të pakta, anëtarët e komisionit do të jenë në minimum, sepse vëzhguesit i ka partia vetë dhe jepet mundësia që të bëhet ky numërim dhe rinumërim në një kohë sa më të shkurtër”, - thekson Meksi.

Financimi

Fondi që do të vihet në dispozicion të partive dhe kandidatëve të pavarur duhet të ndahet në përputhje me numrin e votave që do të marrë secili prej tyre në zgjedhje. Paraprakisht ato financohen me 70 – 80% të fondit të llogaritur mbi votat e marra prej tyre në zgjedhjet e mëparshme. Duhet të caktohen qartë kuotat e kontributeve që mund të merren për fushatën zgjedhore nga individët dhe shoqëritë tregtare dhe në përgjithësi financimi dhe shpenzimet e fondeve publike dhe private të mara nga partitë. Për të gjitha këto dhe shpenzimet të ketë transparencë për publikun dhe kontroll financiar për çdo shpenzim..

8 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›