Durrës, ndalohet 25-vjeçari, përplasi me makinë një të moshuar
Durrës - Policia e Durrësit arrestoi mbrëmjen e kaluar drejtuesin e një automjeti, disa orë pasi aksidentoi rëndë me automjetin e tij një kalimtare të moshuar, në hyrje të qytetit bregdetar.
Burime zyrtare të policisë lokale thanë se, “Dritan Gojka, 25 vjeç, lindur në Gjirokastër dhe banues në Lagjen Nr. 13 të qytetit bregdetar, u arrestua si shkaktar i plagosjes së rëndë të 68-vjeçares Leze Prenga, banuese në fshatin Bushat”. 25-vjeçari, sipas të njëjtit burim, drejtonte automjetin tip ‘Benz’, me targë 9358 D, në momentin e aksidentit që u regjistrua pasditen e djeshme, pranë mbikalimit të këmbësorëve, në krah të stacionit hekurudhor të qytetit. Mësohet se 68-vjeçarja ka marrë plagë të rënda dhe aktualisht vazhdon të mjekohet në Spitalin Kirurgjik të Durrësit. Burimet e policisë bënë të ditur se drejtuesi i mjetit do të përgjigjet para Drejtësisë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
8 Shkurt 2008