Nis verifikimi i shenjave të gishtave, deri tani 10 policë të inkriminuar
Nga të dhënat e 24 orëve të kaluara, nga 50 gjurmët e shqyrtuara 20 për qind rezultojnë të regjistruara në vendngjarje. Procesi do të vazhdojë gjatë, deri në verifikimin e plotë të 10500 uniformave blu
Tiranë - Nga rreth 50 verifikime që u janë bërë gjurmëve të gishtave të uniformave blu, 10 prej tyre rezultojnë të ngjashme me ato të gjetura në ngjarje kriminale. Burimet thanë për gazetën se pasi u janë marrë shenjat e gishtave thuajse të gjithë efektivave në Tiranë dhe janë krahasuar në Laboratorin e Policisë Shkencore me gjurmët e mbledhura nga këqyrjet e vendngjarjeve, rezultati ka qenë befasues. Të dhënat janë nxjerrë nga verifikimet e 24 orëve të kaluara, pasi procesi do të vazhdojë për një kohë të gjatë.
Verifikimi
Në sitë do të kalojnë gjurmët e të gjithë efektivave të policisë së shtetit, që numërohen në 10 mijë e 500 veta. Verifikimet po kryhen nga një grup specialistësh të Ministrisë së Brendshme dhe shërbimeve inteligjente. Urdhri u dha rreth një javë më parë nga ministri i Brendshëm, ndërsa kohë më parë u tha se Policia e Shtetit do të krijojë dosje personale për çdo punonjës të saj, pavarësisht funksionit që ai mban. Të dhënat e grumbulluara do t’i përkasin jetës private, deri edhe detajeve nga më intimet, si partneret, sëmundjet apo lëndimet, informacione që do të arkivohen në Ministrinë e Brendshme. Kjo procedurë mendohet se jo vetëm do të regjistrojë qartë të dhënat e policëve, por do të shërbejë edhe për pastrimin e radhëve të uniformave blu nga persona të inkriminuar.
Urdhri
Nëpërmjet një urdhri të brendshëm të afishuar në të gjitha rajonet e policisë, ministri i Brendshëm njoftonte nisjen e procedurës së dhënies së gjurmëve të të gjitha efektivave. Në një shkresë përcjellëse sqaroheshin edhe procedurat që do të ndiqeshin sipas detyrimit ligjor, ku çdo polic, oficer, shef, por edhe në nivelet më të larta, drejtorët e drejtorive, duhet të dorëzonin vullnetarisht gjurmët e gishtave. Këto të fundit u dhanë në laboratorët kriminalistikë të çdo drejtorie në bazë dhe në qendër. Më pas të dhënat daktiloskopike do të arkivohen në një data-base të përbashkët në Institutin e Policisë Shkencore pranë Ministrisë së Brendshme. Në këtë mënyrë, Policia e Shtetit i bashkohej vendeve të BE-së, që e kanë kriterin bazë të pranimit në radhët e policisë marrjen e shenjave të gishtave për policët. Qëllimi i kësaj të fundit është saktësimi nëse ndonjë nga punonjësit e policisë rezulton i përfshirë në ndonjë ngjarje kriminale. Marrja e shenjave të gishtërinjve ka filluar disa javë më parë dhe u realizua jo vetëm në qendër, por edhe në të gjitha policitë lokale. Po ashtu, një tjetër synim i kësaj nisme është saktësimi i shenjave të gishtave të gjetura në vendngjarje, në rastet kur ekspertët kriminalistë lënë pa dashur shenja gjatë ekzaminimit. Kjo është një masë që mundëson frenimin e uniformave blu në konsumimin e veprave penale, pasi jo në pak raste njerëz me uniformë janë bërë objekt hetimi dhe arrestimesh nga kolegët e tyre për abuzim me detyrën në rrethana nga më të çuditshmet.
Dosja personale
Në bazë të Nenit 64 të “Rregullores së Personelit të Policisë së Shtetit”, të miratuar pak kohë më parë nga qeveria, është parashikuar që mbledhja e këtij informacioni personal të realizohet në dy mënyra: së pari, nga dorëzimi me urdhër dhe, së dyti, nga grumbullimi në fshehtësi i tyre. Ndërmjet informacionit që do të kërkohet nga punonjësit e policisë një vend të konsiderueshëm do të zërë edhe jeta në çift. Uniformat blu duhet të bëjnë publike para shtetit çdo të dhënë personale të bashkëshortes apo bashkëshortit të tyre, si edhe të fëmijëve, ndërsa në rast se janë të pamartuar, edhe të partneres apo partnerit.
Të dhënat duhet të jenë të detajuara dhe nuk duhet të kufizohen thjesht në emrin dhe mbiemrin. Policët duhet të bëjnë publik vendbanimin dhe shkollimin e të afërmve në fjalë, si edhe të sqarojnë nëse ata kanë qenë ose jo të dënuar më parë për vepra penale. Sikundër sqarohet në projektvendimin e kësaj rregulloreje, grumbullimi i këtyre informacioneve bëhet me qëllim për të identifikuar të gjitha ato lidhje të ngushta ndërmjet uniformave blu dhe kontigjentit kriminal.
Publikimi i dosjes
Punonjësi i Policisë së Shtetit mund ta shohë dosjen e tij personale pasi i ka bërë kërkesë me shkrim strukturës përkatëse të personelit, të cilat brenda 15 ditëve pune i krijojnë mundësi pjesëtarit të uniformave blu për të parë dosjen e tij.
8 Shkurt 2008