E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Çmontimi”, në pranga tre veta për vjedhje automjetesh

Tiranë - Tre persona janë arrestuar mbrëmë në Tiranë, në kuadër të operacionit të koduar “Çmontimi”, me akuzën e vjedhjes së automjeteve. Burime zyrtare nga policia e Tiranës bënë të ditur se në pranga janë vënë shtetasit: Krenar Pali, 18 vjeç, Saimir Grori, 22 vjeç, banues në Selitë, si dhe Shpëtim Taho, 23 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë dy herë për vjedhje. Sipas këtyre burimeve, personat e mësipërm dyshohen të jenë autorë të vjedhjes së automjeteve tip “Benz 250”, më datë 30 janar 2008, në rrugën “Don Bosko”, si dhe të automjetit tip “Benz”, në rrugën “Irfan Tomini”. Tre të rinjtë dyshohen se pas realizimit të vjedhjeve të automjeteve në zonat (Rr. ”Irfan Tomoni”, “Komuna e Parisit”, “Qendra Eleonorë”, “Qyteti i Nxënësve”), bënin çmontimin e tyre dhe i shisnin me porosi të serviseve të ndryshme, kryesisht në zonat periferike të Tiranës. Burimet zyrtare sqaruan se shtetasit Krenar Pali dhe Saimir Grori u kapën në flagrancë në një garazh në Selitë, në pronësi të tyre, ku kryenin çmontimin e automjeteve të vjedhura dhe më pas bënin shitjen e pjesëve të mjeteve te servisë të ndryshëm. Në cilësinë e provës materiale, atyre iu sekuestruan pjesë të ndryshme mjetesh të vjedhura si: kabina mjetesh, motorë dhe pajisje të tjera makinash. Aktet procedurale në ngarkim të tyre i kaluan për hetime Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “vjedhje në bashkëpunim”. Seksioni kundër Vjedhjeve të Automjeteve ka intensifikuar punën në drejtim të parandalimit dhe goditjes së autorëve dhe grupeve kriminale të strukturuara, me tendencën e vjedhjes së automjeteve. Në këtë kuadër, strukturat policore, duke marrë shkas edhe nga shqetësimet e disa qytetarëve në drejtim të vjedhjes së automjeteve të tyre, kanë marrë një sërë masash operative, duke mbajtur në ndjekje të vazhdueshme autorët e dyshuar të kësaj tendence, me qëllim dokumentimin dhe kapjen në kohë të tyre.

8 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›