E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvaret 16-vjeçari, shkak varfëria

KORÇË – Varfëria është bërë shkak që një 16-vjeçar nga rrethi i Korçës të ndërmarrë vendimin më fatal të jetës së tij, duke u vetëvarur. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Symiz të Rrethit të Korçës, ku Aleksandro Hysellari ka vendosur t’i japë fund jetës, duke u vetëvarur me litar në një pemë ftoi pranë banesës së tij. Mëngjesin e djeshëm, familjarët pas një nate të gjatë kërkimesh e gjetën trupin e pajetë të 16-vjeçarit të varur. Nga hetimet paraprake të policisë së rrethit të Korçës dhe sipas dëshmive të dhëna nga familjarë dhe të afërm të viktimës, mendohet se shkak për vdekjen e Aleksandros ishin kushtet e rënda ekonomike. Familja e viktimës, dy prindërit e sëmurë dhe 6 motrat dhe vëllezërit më të vegjël, jetonin vetëm me të ardhurat sezonale që vëllai më i madh i familjes, në moshën 20 vjeç, u sillte nga emigracioni në Greqi. Viktima kishte tentuar disa herë të shkonte tek i vëllai për të punuar, por mungesa e dokumenteve dhe mosdhënia e pëlqimit nga prindërit, për shkak të shëndetit të dobët që kishin, u bënë pengesë që të mos emigronte. Tashmë kanë nisur hetimet e mëtejshme për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

8 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›