Aleksandër Meksi rikthehet në politikë, sfidon Berishën në Tiranë
Ish-kryeministri i PD-së vendoset në krye të koalicionit “Poli i lirisë”. Dashamir Shehi i liron vendin e parë në listë në qarkun e Tiranës
Eljona Ballhysa
Ish-kryeministri i Partisë Demokratike, Aleksandër Meksi, do të drejtojë koalicionin “Poli i lirisë”. Meksi deklaroi dje bashkimin me dy partitë e tjera të këtij koalicioni, LZHK-në dhe PDK-në. Ai do të kryesojë listën e deputetëve të LZHK-së në qarkun e Tiranës, ndërsa kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, do të jetë i dyti i listës. Ish-kryeministri i Partisë Demokratike ka pranuar ftesën e Polit të Lirisë për t’u rikthyer në politikë tashmë në opozitë me PD-në dhe liderin e saj, Sali Berisha. Madje sfida është e hapur tashmë, pasi Meksi ka pranuar të kandidojë për deputet në qarkun e Tiranës, pikërisht në këtë qark ku do të kandidojë dhe kryetari i PD-së, Berisha.
Qëndrimi
Gjatë një konference për shtyp, ish-kryeministri u shpreh se Poli i Lirisë është i angazhuar për të sjellë vlerat e munguara të demokracisë në vend. “Ne do të punojmë për një program politik me karakter ekonomik. Do të punojmë që në vend t’u jepet fund problemeve ekonomike, të kompensohen ish-të përndjekurit politikë, të bëjmë kthimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve dhe, mbi të gjitha, të punësojmë shqiptarët”, - tha Meksi. Ish-kryeministri i qeverisë demokratike në periudhën e viteve ‘91-‘96 u zotua gjatë fjalës së tij se do të punojë për një Shqipëri europiane dhe për reforma konkrete, të cilat do ta çojnë vendin përpara. Ai theksoi se ëndrra e tij është të realizojë dëshirat e studentëve të Dhjetorit. “U ngritëm në dhjetor për liri e demokraci, me dëshirën dhe me ëndrrën që ta bëjmë Shqipërinë si Europë. Shumë rrugë është bërë gjatë këtyre viteve, por shumë punë kanë mbetur pa u realizuar, pasi mungon vullneti i duhur politik. Ne po mundohemi që të rikrijojmë ëndrrën e Dhjetorit. Qëllimi ynë është vendosja e së drejtës dhe ajo e mosveprimit në bazë të klientelizmit dhe nepotizmit”, - është shprehur Meksi. “Do të ndalim ndryshimin e ligjeve dhe të Kushtetutës së vendit sipas interesave”, - është shprehur ndër të tjera Meksi, i cili ka theksuar se pas zgjedhjeve LZH-ja do të jetë një parti e reformuar. Ndërsa kryetari i LZHK-së, Shehi e cilësoi ditën e djeshme të shënuar për të djathtën në Shqipëri. “Bashkë me zotin Meksi do të rifillojmë rrugën e gjatë malore për të cilën ka nevojë demokracia. Kjo është një ditë e mbarë për të gjithë të djathtën”, - është shprehur Shehi. Edhe kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, vlerësoi bashkimin e Meksit me koalicionin “Poli i lirisë”. “Sot PD-ja është në koalicion me Xhuvelin dhe partinë e Gërdecit, pra me parti të majta. Ndërsa e djathta e vërtetë është me Polin e Lirisë. Pra gjërat kanë ndryshuar në mënyrë pozitive”, - është shprehur Ndoka.
Largimi nga PD-ja
Bashkimi i Meksit me LZHK-në dhe Polin e Lirisë shënon largimin përfundimtar të tij nga Partia Demokratike, në të cilin ai ishte anëtar i Këshillit Kombëtar në bazë të Statutit të kësaj partie, ku çdo ish-kryeministër është automatikisht anëtar i këtij forumi drejtues. Aleksandër Meksi është një ndër themeluesit e Partisë Demokratike dhe kryeministër i kësaj parti në vitet 1992-1997. Ai ka mbajtur dhe postin e kryetarit të Kuvendit në vitin 1992. Në vitin 1997, Aleksandër Meksi, gjatë zgjedhjeve në Kuvendin Kombëtar të PD-së, nuk arriti të zgjidhej në strukturat drejtuese të kësaj partie. Kjo shënoi shkëputjen e parë të tij, ndërkohë që vazhdoi të mbante postin e deputetit të PD-së deri në vitin 2001. Ky vit shënoi ndërprerjen e aktivitetit politik aktiv të Aleksandër Meksit. Ai njihet si një nga anëtarët më aktivë të PD-së, i cili ka krijuar herë pas herë polemika me lidershipin e kësaj partie. Kjo për faktin se Meksi ka kërkuar vazhdimisht që në PD të sanksionohej institucionalizimi i mendimit ndryshe. Madje ai shpeshherë ka paraqitur platforma që synonin demokratizimin e PD-së, të cilat janë rrëzuar nga lidershipi i PD-së. Largimi i Meksit tregoi mungesën e hapësirave për zhvillimin e mendimit ndryshe në PD.
6 Maj 2009