Tahiri, thirrje votuese pa pasaportë: “Aplikoni sa më shpejt të jetë e mundur!”
Partia Socialiste intensifikon fushatën e saj të sensibilizimit dhe nxitjes së votuesve pa pasaportë për të aplikuar për karta identiteti. Anëtari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, u bëri thirrje votuesve që të aplikojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të sigurojnë të drejtën e votës dhe me votën e tyre të largojnë më 28 qershor Sali Berishën. Tahiri tha se edhe pse qeveria vazhdon të aplikojë taksën e votës, duke u marrë 200 lekë votuesve për aplikim, qytetarët duhet të bëjnë këtë sakrificë, pasi qeveria e re që do të krijohet me Edi Ramën kryeministër do të mundësojë rimbursimin e kësaj shume. “Unë dëshiroj t’u drejtohem sot me një thirrje të gjithë votuesve shqiptarë, të cilët nuk zotërojnë një pasaportë, për të aplikuar një orë e më parë për letërnjoftimin elektronik. Është tejet e rëndësishme që çdo votues, pavarësisht nëse jeton në qytet apo në fshat, të ketë mundësinë për të votuar më 28 qershor. Edhe pse vendimi i fundit i qeverisë për ta ulur çmimin nga 1200 lekë në 200 lekë mban ende në fuqi taksën e votës, ne i ftojmë shqiptarët të aplikojnë dhe të ruajnë faturën, pasi qeveria e re me Edi Ramën kryeministër do ta rimbursojë për çdo shqiptar këtë taksë të politikës së vjetër, përmes së cilës Sali Berisha kërkon të mbajë larg kutive të votimit mijëra studentë, pensionistë, të varfër e të papunë”, - tha Tahiri. Ndërkohë, lidhur me deklaratën e anëtarit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ka reaguar zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli. Ajo tha se Partia Socialiste dhe kreu i saj Edi Rama po tentojnë të blejnë votën e shqiptarëve, duke u premtuar rimbursim për çmimin e kartave të identitetit. “Tregtarët e votave, humbësit e mëdhenj, kanë varur shpresat se do të blejnë votën e qytetarëve shqiptarë me 200 lekë dhe kjo, me sa duket, është e vetmja shpresë që i ka mbetur Edi Ramës në këtë prag fushate kapitulluese.
Me këto Edi Rama dëshmon se pas dështimit të të gjitha alternativave beson se mund t’i gënjejë shqiptarët me mashtrime të tilla. Do ta pyesim zotin Rama se çfarë do të bënte ai nëse qeveria do t’u thoshte qytetarëve: ‘Merrnin pjesë në votime se do të keni një rrogë shtesë?’” - tha Mëhilli.
6 Maj 2009