Alimadhi: “PBK-ja do të ketë kandidatë në të 12-të qarqet”
Kryesia e Partisë së Ballit Kombëtar miratoi dje listën me 140 kandidatët për deputetë në të 12-të qarqet. Gjatë mbledhjes së djeshme Kryesia e PBK-së miratoi dhe sloganin me të cilin kjo parti do të futet në zgjedhjet e 28 qershorit. “70 vjet shërbim kombëtar, koha na dha të drejtë”. Ky do të jetë slogani i PBK-së, i cili identifikon kontributin 70-vjeçar të kësaj partie në shërbim të çështjes kombëtare. Kryetari i PBK-së, Adriatik Alimadhi, gjatë fjalës së tij në këtë mbledhje u bëri thirrje shqiptarëve të votojnë koalicionin e djathtë për reformat e kryera deri tani. “Ne u themi shqiptarëve të votojnë shqiptarinë. Ajo që ka kërkuar Balli Kombëtar, një Shqipëri të lirë, demokratike, të pavarur, një Shqipëri drejt Perëndimit dhe integrimit, ajo po zbatohet sot në politikën shqiptare. I ftojmë shqiptarët të votojnë më 28 qershor vlerat e Partisë së shtratit kombëtar”, - është shprehur Alimadhi.
Mediu kërkon në Shijak votat për një mandat të dytë
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i shoqëruar nga anëtarë të tjerë të Kryesisë së kësaj force, ishin në takimin e radhës në Shijak. Gjatë fjalës së tij Mediu tha se “familja është themeli i shoqërisë, prandaj kërkesat e saj janë primare për ne republikanët”. Ai theksoi se Partia Republikane përbëhet nga njerëz të mirë, të cilët synojnë cilësi në punën e tyre, cilësi dhe përfaqësim të denjë të të gjithë shqiptarëve. “Unë ju siguroj se vota juaj për Partinë Republikane do të përfaqësohet denjësisht, do të ketë zërin e saj në Kuvend, zërin e shijakasve dhe të të gjithë shqiptarëve. Partia Republikane ka meritat e saj në rrugën demokratike që ka bërë Shqipëria”, - është shprehur Mediu, ndërsa renditi reformat e realizuara nga qeveria, pjesë e të cilave ka qenë dhe PR-ja. Duke theksuar rolin e PR-së në mbrojtjen e çështjes së pronës, Mediu kërkoi mbështetje dhe për një mandat të dytë qeverisës.
Topalli: “Doktrina ekonomike e qeverisë e ndryshoi Shqipërinë”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë një takimi me banorë të komunës së Shëngjinit, tha se doktrina e re ekonomike e transformoi Shqipërinë. Në takimin e saj, kryetarja e Kuvendit vuri në dukje transformimet në këtë zonë, duke theksuar se gjatë dy viteve të fundit investimi ka kapur shifrën e rreth 11 milionë eurove. “Paratë për investime janë para të ardhura nga doktrina e re ekonomike e rritjes së rrogave, rritjes së pensioneve, uljes së taksave, që ka bërë të ndryshojë jo vetëm Shëngjini, por e gjithë Shqipëria”, - nënvizoi kryetarja Topalli. Ajo vuri në dukje investimet e rëndësishme në këtë komunë, si: rruga Shëngjin-Lezhë, një investim prej 2.1 milionë eurosh; ujësjellësi i Shëngjinit, me vlerë 3 milionë euro; rehabilitimi i kaskadës dhe derdhjes së lumit Drin, 1.6 milionë euro; rruga nga ishulli Lezhë drejt qytetit Lezhë, 700 mijë euro; sistemi biologjik i pastrimit të ujërave të zeza, 3.4 milionë euro e të tjera investime të mëdha".
6 Maj 2009