E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Novoselë: “Do të ulim koston e prodhimit në bujqësi”



Gjatë takimit të zhvilluar në Novoselë të Vlorës, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka folur për programin për bujqësinë. Rama dhe drejtuesit e lartë të PS-së, që e shoqëronin në Novoselë, janë shprehur se me programin e ri të socialistëve do të ketë ritme të reja të rritjes në fshat. Sipas tij, zhvillimi nuk do të jetë më i pabalancuar, përkundrazi, do të synohet një zhvillim harmonik, në mënyrë që të mos thellohet më tej pabarazia sociale. Kreu i PS-së ka treguar disa pika të dokumentit të ri qeverisës të socialistëve lidhur me uljen e kostove të prodhimit, si dhe përmirësimin e teknologjive të prodhimit përmes politikave të reja në sektorin e bujqësisë. “Do të ulim edhe koston tërësore të prodhimit, duke nxitur përmes mbështetjes financiare rritjen e njësive të prodhimit dhe njëkohësisht duke nxitur me politika të reja, edhe përmirësimin e teknologjive të prodhimit”, - tha Rama.
Edi Rama në Novoselë ka ripërsëritur dhe heqjen e akcizës së naftës, duke rikujtuar edhe premtimet e pambajtura të kryeministrit aktual: “Sali Berisha, në vitin 2005, mori shumë vota në fshat, duke ngritur zërin në kupë të qiellit për çmimin e naftës, që atëherë ishte 600 lekë dhe për Sali Berishën ishte shumë i lartë. Ai premtoi se me të marrë votën tuaj do ta bënte 400 lekë çmimin e naftës. Dhe ajo që ndodhi, siç ndodh me të gjitha premtimet e Sali Berishës, ishte që jo vetëm nafta nuk zbriti, përkundrazi, çmimi i saj u dyfishua dhe u trefishua, dhe ju mbetët në mes të katër rrugëve. Unë e ndiej pamundësinë tuaj dhe për këtë arsye do ta ulim çmimin e naftës për fshatin duke hequr akcizën”, - tha kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama.

6 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›