E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja, plan për evidentimin e personave pa pasaportë, që nuk i kanë emrat në lista



Shaban Sulçe

Partia Socialiste kërkon nga degët e saj në rrethe që të evidentojnë të gjithë personat pa pasaportë, emrat e të cilëve nuk janë në listat e shpallura nga Ministria e Brendshme. Kërkesa e selisë rozë ka marrë shkas nisur nga konstatimi I një fenomeni shqetësues që ka ndodhur gjatë ditëve të fundit gjatë procesit të aplikimit për pajisjen me karta identiteti. Në shumë qendra aplikimi në zona të ndryshme të vendit është konstatuar se mjaft votues pa pasaportë, të cilët kanë dashur të aplikojnë për kartë, nuk kanë mundur ta bëjnë një gjë të tillë, pasi emrat e tyre mungonin në listat e votuesve pa pasaportë, të përpiluara dhe të shpallura nga Ministria e Brendshme. Një gjë e tillë është pritur me shqetësim nga Partia Socialiste, pasi personat në fjalë nuk do të kenë mundësi që të pajisen në kohë me karta identitetit dhe automatikisht do tu mohohet e drejta për të votuar në zgjedhjet e 28 qershorit.

Udhëzimi
Ajo që dihet me saktësi në selinë e Partisë Socialiste është fakti se bëhet fjalë për një numër të madh personash pa pasaportë, të cilët nuk kanë mundur të aplikojnë për karta identiteti pasi nuk kanë gjendur emrat e tyre në listat e shpallura nga Ministria e Brendshme. Shqetësimet ndaj këtij fenomeni kanë ardhur nga shumë zona të vendit, por ende nuk i dihet numri i saktë i personave në fjalë, apo shpërndarja e tyre sipas qarqeve. Nisur nga kjo situatë, selia qendrore e Partisë Socialiste u ka dërguar një udhëzim degëve të saj në rrethe, të cilave u ka kërkuar që të bëjnë evidentimin e të gjithë personave pa pasaportë, të cilët nuk kanë emrat në lista. Pas mbledhjes së saktë të të dhënave për secilin qark, Partia Socialiste do të ushtrojë presionin e saj publik ndaj qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme për të future urgjentisht në listat e shtetasve pa pasaportë, shtetasve që u mungon emri në këto lista. Kjo do t’u mundësojë atyre që të aplikojnë dhe të pajisen në kohë me karta identiteti si dhe tu garantojë të drejtën e pjesëmarrjes në zgjedhjet e 28 qershorit.

Korça
Qarku i Korçës rezulton më problematiku përsa i përket përhapjes së “fenomenit” që bën fjalë për shtetasit pa pasaportë, të cilët nuk gjejnë dot emrat në listat e përpiluara nga Ministria. Sipas të dhënave mësohet se numri i votuesve pa një dokument identiteti në qytetin e Korçës rezulton të jetë trefish më i lartë sesa ai i identifikuar në listën e zgjedhësve. Shifra alarmante është konstatuar gjatë aplikimeve ditore që kryhen për kartat e identitetit, ku shumë votues që kanë bërë kërkesa për aplikim, nuk kanë mundur të aplikojnë pasi emrat e tyre nuk kanë rezultuar të regjistruar në këto lista. Sipas të dhënave nga qendra e aplikimeve në qytetin e Korçës, çdo ditë pranë kësaj zyre paraqiten persona emrat e të cilëve nuk figurojnë në listën përfundimtare të kategorisë pa asnjë dokument tjetër identifikimi. Të paktën 24 mijë votues nga verifikimet e deritanishme dhe përllogaritjet që janë bërë gjatë aplikimeve ditore rezultojnë se s’kanë dokumente, ndërkohë që në lista shifra për Korçën tregon se janë identifikuar vetëm 8000 të tillë.

Kartat, banorë të shumë komunave rrezikojnë aplikimin

Banorë të një numri të konsiderueshëm komunash në vend rrezikojnë të mbeten jashtë procesit të votimit për shkak të dështimit të nisjes së procesit të aplikimit për kartat e identitetit. Mospajisja me letërnjoftimet elektronike e këtyre banorëve, të cilët nuk kanë pasaportë në përdorim, rrezikon që t’u mohojë të drejtën atyre për të votuar në zgjedhjet e 28 qershorit. Procesi rezulton me mjaft probleme në disa komuna të rretheve Kukës, Pukë, Shkodër, Mat, Mallakastër dhe Sarandë. Në rrethin e Kukësit, për 3000 banorë të komunës Pult ende nuk ka filluar aplikimi, ndërkohë që në 4 komunat Topojan, Arren, Zapod, Surroj nuk ka nisur ende procesi. Në Mallakastër, në 2 komunat Greshicë e Allkaj procesi nuk dihet se kur do të nisë, ndërkohë që janë mbi 380 banorë që presin të pajisjen me letërnjoftimet elektronike. Në Ulëz të Matit nuk ka nisur procesi për 500 banorë si dhe në Shkodër, në komunën Pult. E njëjta situatë problematike paraqitet në Sarandë ku rrezikojnë pjesëmarrjen në votime 10 mijë banorë të Bashkisë Konispol si dhe në Delvinë, Komuna Vergo dhe në Lezhë Komuna Ungrej. Në Pukë paraqitet i njëjti problem për 6500 banorë të Iballës dhe Fierzës. Mësohet se ky ngërç i procesit ka ardhur si rezultat i mungesës së pajisjeve si dhe problemeve teknike.

6 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›