E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti për fushatën, PS dhe PD marrin “pjesën e luanit”

KQZ-ja ka hartuar dje draftin e buxhetit që do t’u shpërndahet partive. Hartohet gjithashtu edhe buxheti që do të përdorë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Luis Tanushi

Administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përgatiti dje buxhetin e fushatës zgjedhore, i cili do t’u ndahet partive politike. Dje në mesditë KQZ-ja punoi për draftin, i cili do të diskutohet në mbledhjen e ditës së enjte, jashtë rendit të ditës. Fondi në total që partitë politike do të marrin do të jetë rreth 140 milionë lekë të rinj. Dy partitë e mëdha pritet që të marrin edhe fondin më të madh të buxhetit, që është përcaktuar për t’iu shpërndarë partive politike. PS-ja dhe PD-ja do të marrin rreth 100 milionë lekë të rinj së bashku. Kjo shumë do të ndahet përgjysmë midis dy forcave të mëdha politike. Partive të vogla parlamentare pritet që t’u shpërndahet pothuaj gjysma e buxhetit të partive të mëdha. Për partitë e vogla duket se është planifikuar që t’u jepen rreth 40 milionë lekë.

Fondi
Ministria e Financave ka çelur fondin për shumën që do t’u jepet partive politike. Fondet e akorduara nga buxheti i shtetit për fushatën zgjedhore të subjekteve përbëhen nga fondet për financimin e fushatës, si dhe nga kuota shtesë për fondet për financimin e fushatës, e cila përdoret nga KQZ-ja për dhënien e shumave kompensuese. Në buxhetin e vitit kur do të zhvillohen zgjedhje, Kuvendi vë në dispozicion të KQZ-së dhe të institucioneve të tjera përkatëse fondet për përgatitjen, zhvillimin, mbikëqyrjen, si dhe çdo aspekt tjetër të procesit zgjedhor. Në Kodin Zgjedhor thuhet se shpërndarja e buxhetit partive politike duhet të bëhet jo më vonë se 5 ditë që nga regjistrimi i subjekteve politike në KQZ.
Ditën e premte në KQZ përfundoi edhe regjistrimi i subjekteve që do të kandidojnë në zgjedhjet e 28 qershorit. Në rast se partitë politike nuk do të arrijnë të fitojnë mandate në Parlamentin e ardhshëm, ato do të jenë të detyruara që ta kthejnë shumën e marrë.

Buxheti i KQZ-së
KQZ-ja administron fondet e vëna në dispozicion nga Buxheti i Shtetit. Ky komision mund të marrë financime edhe nga burime të tjera të ligjshme. Struktura e shpenzimeve miratohet me vendim të KQZ-së, ndërkohë buxheti i saj miratohet me vendim të KQZ-së, sipas afatit të përcaktuar nga Ministria e Financave. KQZ-ja mund të përfitojë edhe donacione të huaja, të ndryshme, me kusht që të mos cenohet pavarësia dhe autoriteti i këtij institucioni. Për mënyrën e administrimit të këtyre donacioneve, KQZ-ja do të bëjë marrëveshje me donatorët. Në këto marrëveshje KQZ-ja dhe donatorët do të përcaktojnë mënyrën se si KQZ-ja do t’i përdorë këto fonde. Për marrjen e donacioneve procedurat ndryshojnë në bazë të shumës që donatori i jep KQZ-së. Donacionet për KQZ-në, me vlerë deri në 300 000 lekë, do të pranohen vetëm me miratim të kryetarit të KQZ-së. Në rastin kur këto donacione e kalojnë vlerën e 300 mijë lekëve, ato do të pranohen me vendim të KQZ-së.

Udhëzimi, si do të zhvillohen mbledhjet e KQZ-së

Ditën e enjten pritet që të diskutohet edhe për procedurën e mbledhjes së Komisionit Zgjedhor. Në periudhën zgjedhore, në rast se mungon kuorumi për zhvillimin e mbledhjes, ajo do të shtyhet për jo më shumë se 24 orë. Kjo lidhet edhe me axhendën e ngjeshur të punimeve që KQZ-ja ka për këtë periudhë kohore. Në kohë zgjedhjesh KQZ-ja i bën më të shpeshta mbledhjet e saj. Kjo procedurë ndryshon nga periudha jozgjedhore, ku koha që ka në dispozicion KQZ-ja është më e madhe. Në periudhën jozgjedhore, në rast se mungon kuorumi për zhvillimin e mbledhjes, ajo shtyhet për jo më vonë se tri ditë. Një pikë e rëndësishme që pritet të miratohet në projekt-vendimin e KQZ-së, ka të bëjë me detyrat e anëtarit të KQZ-së. Në bazë të Kodit Zgjedhor anëtari i KQZ-së ka dhe disa të drejta për ushtrimin e funksioneve të veta si t’i kёrkojё informacion dhe mbështetje administratёs sё KQZ-sё dhe të disponojё e konsultojë çdo dokument tё depozituar nё KQZ. Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mund tё kёrkojё dhe tё marrё ndihmё dhe mbёshtetje nga sekretari i Përgjithshëm i KQZ-sё, ose administrata kur thirret mbledhja e KQZ-sё. Një tjetër e drejtë e anëtarit të KQZ-së në Kodin Zgjedhor ka të bëjë me vënien në dijeni me rendin e ditës së mbledhjes së KQZ-së dhe me materialet përkatëse jo më vonë se 24 orë përpara ditës së zhvillimit të mbledhjes dhe në periudhën 1 muaj para datës së zgjedhjeve deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve jo më vonë se 2 orë përpara fillimit të mbledhjes.

6 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›