Blushi në Udinisht: “Projekti qeverisës i PS-së fillon nga zhvillimi i fshatit”
Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Ben Blushi, deputeti Alfred Dalipi dhe nënsekretari për koordinimin, Arben Ahmetaj, në kuadrin e turit për prezantimin e programit të ri qeverisës në qarkun e Korçës, janë ndalur në fshatin Udinisht të rrethit të Pogradecit, ku është takuar me të gjithë banorët. Gjatë fjalës së mbajtur, deputeti socialist Ben Blushi ka vënë theksin te problematika e fshatit, që sipas tij është rrjedhojë e politikave aspak favorizuese nga ana e qeverisë. Blushi i ka siguruar banorët se pas ardhjes së Partisë Socialiste në pushtet, janë gati një sërë masash, duke filluar nga dhënia e certifikatave të pronësisë, heqja e akcizës për naftën dhe deri te mbështetja e bujqve e fermerëve, për të nxjerrë në treg prodhimet e tyre. Për Ben Blushin, më 28 qershor, të gjithë shqiptarët duhet të largojnë me votë qeverinë e Sali Berishës, e cila ka pasuruar veten dhe ka varfëruar popullsinë: “Ne kemi një diferencë të madhe me Partinë Demokratike, e cila duket çdo ditë. Kemi një diferencë, e cila, nëse në rastin tonë synon të mundë varfërinë, në rastin e tyre synon të pasurojë disa njerëz që janë në pushtet, duke filluar nga familja e Sali Berishës. Më 28 qershor ne do të shkojmë të votojmë për të shpëtuar nga varfëria dhe mjerimi. Ne kemi një projekt, të cilin e theksoj, fillon nga fshati”, - tha Blushi.
6 Maj 2009