E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleksandër Meksi rikthehet në politikë



Pas 12 viteve distancë, ish-kryeministri Aleksandër Meksi rikthehet në politikë. Në konferencën e parë për shtyp, pas kaq shumë viteve, Meksi lajmëroi përfshirjen politike në Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit, duke marrë përsipër edhe drejtimin e “Polit të Lirisë”. I shfaqur përkrah Dashamir Shehit dhe Nard Ndokës, ish-kryeministri Meksi deklaroi: “Poli i Lirisë” është i angazhuar për të sjellë vlerat e munguara të demokracisë në vend. Do të punojmë që në vend t'u jepet fund problemeve ekonomike, të kompensohen ish-të përndjekurit politikë, të bëjmë kthimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve dhe mbi të gjitha, të punësojmë shqiptarët”. Meksi është emri i parë në listat e kandidatëve për deputetë të grupimit “Poli i Lirisë” në zgjedhjet e përgjithshme. Ai pohoi se do t’i rikthehet jetës aktive politike me qëllimin e vetëm që Parlamenti nesër të ketë një parti evropiane. “Duke punuar për të pasur një Shqipëri evropiane do të kemi një Shqipëri evropiane”, - tha Meksi, duke shtuar se tani është përqendruar puna tek reformat konkrete që LZHK-ja do të ndërmarrë në vetvete. “Synojmë që pas zgjedhjeve LZHK-ja të jetë një parti e reformuar”, - u shpreh Meksi.

”Poli i Lirisë” është një koalicion që përmbledh dy parti, PDK e LZHK, si dhe disa shoqata të të përndjekurve politikë dhe të ish-pronarëve. Aleksandër Meksi ka qenë kryeministri i parë pas përfundimit të regjimit komunist në Shqipëri. Ai drejtoi qeverinë në vitet 1992-1997. U dorëhoq me datën 11 mars të vitit 1997.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›