E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të djathtët: Përsosmëria jonë, gjatë mandatit të dytë



Përgjatë katër viteve, qeveria “Berisha” ka ndryshuar Shqipërinë, por përsosmëria do të arrihet gjatë mandatit të dytë qeverisës. Sipas anëtarëve të kabinetit qeveritar, asgjë nuk përsoset për një mandat të vetëm, pavarësisht punës së kënaqshme të 4 viteve që po lëmë pas. Ky është mesazhi i përcjellë dje nga anëtarët e kabinetit qeveritar gjatë takimeve të tyre në zona të ndryshme të vendit në kuadër të “Shqipëria po ndryshon”. Pavarësisht arritjeve të kënaqshme gjatë këtij mandati katërvjeçar, të djathtët premtojnë se do të bëjnë shumë më tepër për qytetarët shqiptarë. Anëtari i kabinetit qeveritar, ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, është optimist se përsosmëria e qeverisë “Berisha” do të arrihet përgjatë mandatit të dytë. “Përfshirja e Partisë Agraro-Ambientaliste në programin e qeverisë ka bërë të mundur që në këto 4 vite të shënohen rezultatet të kënaqshme”, - u shpreh kreu i kësaj partie, Lufter Xhuveli, në takimin paraelektoral në qytetin e Burrelit. “Asgjë nuk mund të përmirësohet në një mandat të vetëm, por nëse krahasojmë se çfarë është bërë në këto 4 vite në krahasim me të shkuarën, do të vëmë re ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri”, - tha kreu i PAA-së, Xhuveli. Kurse zëvendëskryeministri Genc Pollo dhe ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, ishin të pranishëm në panairin e përvitshëm të agro-biznesit në qytetin e Beratit. “Ndërtimi i Boshtit të Jugut, - tha Pollo, - do të jetë një ndër prioritetet në mandatin e dytë qeverisës me qëllim lehtësimin e fermerit shqiptar për nxjerrjen e produkteve ushqimore sa më shpejt në treg. Bëhet fjalë për një autostradë të standardeve më të larta që do t’ju lidhë me jugun e Shqipërisë. Me realizimin e këtij aksi shpresoj se prodhimet tuaja që me zor arrini t’i çoni në treg, do ta keni më të lehtë. Kjo rrugë, për të gjithë fermerët e Beratit dhe ekonominë do të jetë një rrugë e zhvillimit të madh”, - u shpreh zëvendëskryeministri Genc Pollo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›