Aleksandër Meksi: PD nuk i fiton zgjedhjet
Ish-Kryeministri i Shqipërisë, Aleksandër Meksi, flet për arsyet e kthimit të tij në politikë, si ka qeverisur PD-ja dhe pse të djathtët duhet të votojnë për Polin e Lirisë.
Meksi: PD-ja nuk realizoi premtimet
"Nuk dua që ata, të cilët s'votojnë për PD-në, për faj të PD-së, vota e tyre të humbë".
Meksi tha se prurja në PD nuk solli asgjë të re. Në PD, sipas tij, duhet të zbatohet parimi i zgjedhjes, dhe jo importimit.
Meksi: Do të jem në Kuvend nëse me votojnë
TIRANË- Për ish-Kryeministrin e Shqipërisë, Aleksandër Meksi, dita e djeshme ka qenë e ngarkuar jo vetëm me takime, por edhe me telefonata. I rikthyer pas 12 vjetësh në politikën aktive, njeriu që drejtoi për 5 vjet qeverinë e demokratëve '92-'97, ka marrë dje shumë urime.
Por, i njohur edhe për batuta, Meksi u ka kërkuar miqve dhe mbështetësve, që e merrnin në telefon, që të mos e urojnë, por ta votojnë më 28 qershor.
Menjëherë pas prezantimit zyrtar si drejtues i Polit të Lirisë, por edhe si kandidat i parë i LZHK-së për deputet në Tiranë, Meksi tregon në një intervistë për "Shekulli"-n se përse u rikthye në politikën e ditës dhe çfarë synon ai dhe kolegët e këtij koalicioni të djathtë.
Z. Meksi, për një periudhe katërvjeçare keni vëzhguar qeverisjen aktuale dhe nuk keni qenë aktivë. Pra, në një farë mënyre, gjatë kësaj periudhe ju keni heshtur. Pse pikërisht tani e thyeni heshtjen?
Unë kam heshtur sipas atij rregulli, që njerëzit nuk kanë dëshirë të flasin jashtë shtëpie për defektet brenda shtëpisë. Unë kam folur për vite me radhë për nevojën për demokratizim, kam kritikuar në mënyrë mjaft të qartë që nuk ka demokraci, kam thënë që po shkërmoqet kjo demokraci.
Nuk dëgjuan. Një rastësi i solli në pushtet kur nuk i morën votat e shumicës së elektoratit. Morën më pak se gjysma. Bënë akrobacira që erdhën në pushtet. Dal pikërisht tani, sepse jam i bindur se nuk e marrin pushtetin sërish dhe nuk dua që ata, të cilët nuk votojnë për PD-në, për faj të PD-së, vota e tyre të humbë, por t'i marrë një forcë tjetër, që është e djathtë, që është pikërisht Poli i Lirisë.
Kjo forcë është krijuar për të grumbulluar të gjithë ata që nuk janë në një mendje, me ata që janë në krye të PD-së, dhe me idenë tjetër që këto vota të mund të përdoren në të mire të demokracisë dhe të rindërtimit të një partie realisht demokratike. Sepse PD nuk quhen ata që janë në godinën e PD-së, ata janë qiraxhinj dhe brenda vijës së verdhë nuk legalizohet nga qiraxhiu i godinës.
Në fakt, z. Meksi, ju keni kërkuar prej vitesh demokratizimin e partisë, ndryshimin e statutit të saj. Ju jeni edhe anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së. Por, tani jeni me LZHK-në. U dorëzuat në fund?
Nuk jam dorëzuar, por luftoj me të vetmen mënyrë që mund të luftohet.
Që është?
Të dalësh në publik, për të marrë votat e atyre që janë në një mendje me mua dhe më kolegët e mi dhe më të gjithë ata që janë pjesë e Polit të Lirisë.
Ju sot paraqitët një platformë. Folët për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, kompensimin e ish-pronarëve, respektimin e ligjit, të gjithë këto tipare, në fakt, përbëjnë të djathtën. Keni folur gjithashtu për luftën kundër korrupsionit, tezë me të cilën PD-ja zhvilloi fushatën katër vite më parë, apo edhe për pavarësinë e institucioneve të pavarura.
Të gjithë këto sa thashë, z. Meksi, nuk janë realizuar këto katër vite?
Unë kam thënë që janë zvarritur. Pra, nuk janë realizuar. Dhe nuk po shohim që të thuhet se si do të realizohen praktikisht dhe përmasat e detyrimit që ka shteti, veçanërisht për ish-të përndjekurit dhe ish-pronarët.
Dimë që ligji për drejtësinë nuk është bërë, që janë bërë ndryshime absurde në Kushtetutë brenda 24 orësh, ku në çdo vend të botës nuk bëhen në këtë mënyrë, e shumë gjëra të tjera që tregojnë se metodat nuk janë as transparente dhe as demokratike. Për këtë arsye unë nuk mund të jem dakord, dhe për të dalë tek ajo që thatë ju në fillim, heshtja ka qenë një formë për të treguar se nuk kam qenë dakord.
Z. Meksi, ku qëndron problemi kryesor i kësaj qeverisjeje dhe i vetë PD-së, tek njerëzit, mënyra e drejtimit...? Ju keni bërë një analizë, besoj, të kësaj qeverisjeje në këto katër vite.
Tek të gjitha bashkë.
Çfarë duhet të ndryshojë në PD?
Të kthehet në një parti të demokratizuar. Kjo do të thotë që, njerëzit të cilët janë aty, janë një minimum që u takojnë përgjegjësitë në PD, nisur nga postet që kanë pasur. Ndërsa të tjerët duhet të zgjidhen dhe jo të katapultohen, aq më tepër të importohen. Duhet të ketë meritokraci.
Në fakt, e keni prekur edhe gjatë fjalës suaj sot, që përfshirja juaj në politikë bëhet për të krijuar një parti evropiane, shtëpi e të gjithë demokratëve dhe antikomunistëve, jo vetëm të një klani dhe rrethit të tyre miqësor dhe klientelist, të bashkuar "pa dallim ideje". Kë keni parasysh? A ka ardhur koha që të flitet me emra konkretë?
Do të shprehem herë tjetër, kur t'i kem të qarta se si i kanë vendet e tjera këto norma dhe do t'i publikoj.
Duket se kemi pasur me shumë ndryshime njerëzish sesa realizime premtimesh, këto katër vite. A është humbur kohë, sipas këndvështrimit tuaj, me pazare karrigesh, gjatë kësaj periudhe?
Ministrat ndryshojnë në gjithë botën, por programi realizohet. Kur me ndryshimin e ministrave ndryshon programi, atëherë është humbje kohe.
Pra, ju mendoni se e djathta jo vetëm që nuk ka përmbushur programin, por edhe ka devijuar nga përmbajtja e saj, këto katër vite?
Tani do të filloj të shoh këto gjëra që ju thoni, për të qenë më aktiv në të ardhmen.
Në fakt ju keni bërë një platformë, çka tregon se keni qenë tepër i vëmendshëm....
Unë kam thënë gjëra që dihen dhe mënyrën e zbatimit të tyre tek ne. Nuk kam thënë atë që thonë ata, por kam thënë atë që thotë e gjithë bota Perëndimore, e qytetëruar dhe jokomuniste.
A duhet të fitojë sërish PD-ja, z. Meksi, me këtë mënyrë qeverisjeje katërvjeçare?
Ketë pyetje duhet t'ia drejtoni elektoratit dhe jo mua, meqenëse jemi në fushatë.
Duke mbetur tek fushata, pse pikërisht me LZHK-në?
Poli i Lirisë është si një alternativë e qendrës së djathtë. Njerëzit që bëjnë pjesë në të, kanë treguar se duan të luftojnë për të djathtën e qendrës. Pra, për realizimin e atyre detyrave që janë të së djathtës.
Pra, vendosja rendit, mbrojtja familjes, realizimi i çështjes së të përndjekurve, pronarëve, që deri më tani po zvarriten, ekonomia e tregut, largimi i klientelizmit, i monopoleve, i evazionit fiskal, që nuk shohim që të bëhen.
Keni qenë prej 10 vitesh deputet dhe prej pesë vitesh Kryeministër. Tani, pas 12 vitesh, do të ktheheni sërish në Kuvend, sepse është thënë që ju jeni i pari në listën e deputetëve të LZHK-së në Tiranë?
Unë do të jem në Kuvend, nëse populli do të na japë votat. Kjo ishte arsyeja se pse ne dolëm sot, për t'u bërë thirrje shqiptarëve, që ndryshimi jemi ne. Votoni për ne!
Para katër vitesh, në PD u propaganduan së tepërmi hapja e dyerve dhe thithja e sa më shumë të rinjve. Në fakt, disa prej tyre, asaj që u quajt KOP, janë sot në qeverisje. A ndryshoi PD-ja me këtë prurje të re?
Për PD-në, solli plus votat e aq vetave sa ishte prurja.
Ju folët sot për alternativë të djathtë. Por nëse PD-ja do të kërkonte koalicion me ju, cili do të ishte qëndrimi juaj?
Jemi shpejt për të folur për çështje të tilla. Jemi ende në hapin e parë.
Çfarë do të bëni nesër, pasnesër e ditët në vijim...? Ku do të përqendroheni?
Do angazhohemi të sistemojmë programin dhe sigurisht do të shfrytëzojmë mediat vizive dhe të shkruara, për të sqaruar njerëzit për idetë tona, për programin tonë dhe, sigurisht, këto parti të veçanta dhe ne bashkërisht, do të kemi kontakte me njerëzit.
Kanë mbetur 2 muaj. A është kohë e mjaftueshme për të kërkuar votat e qytetarëve?
Dy muaj nuk janë shumë, por nuk janë as pak. Nuk kanë filluar fushatën ende partitë e mëdha.
Në fakt, PD-ja ka hyrë në fushatë. Po shohim prerje shiritash, inaugurime rrugësh, premtime për një mandat tjetër. Madje, thonë se kanë bërë shumë këto katër vite. Si ju duken këto deklarata?
Unë do bëja më shumë, them unë, sa herë që do të ballafaqohesha. Dua të sqaroj se, ne do të flasim me shifra konkrete, për gjithçka që lexuat në program.
Kjo është edhe arsyeja që po ecim më avash në këto momente të para. Në të ardhmen ne do të flasim konkretisht se si duhet të realizohen dhe pse duhet të bëhen pikërisht me atë mënyrë, që kemi thënë përmes programit.
Flasim pak për opozitën. Si ju duket politika e re që po lançohet së tepërmi nga Kryetari i opozitës, Edi Rama?
Kur ta shkruajë, do ta lexoj, për të kuptuar së përse e ka fjalën.
Shoh që ju bie shumë celulari. A keni pasur telefonata nga kolegë tuajt në PD, që mbani ende lidhje, deputetë apo edhe më lart për këtë angazhim tuajin?
Nuk besoj të kenë marrë në telefon, por edhe nëse ka ndodhur e kundërta, celulari im ka qenë me defekt dhe nuk jam në gjendje ta kontrolloj.
Intervistoi:
Pse thyen heshtjen
Dal pikërisht tani, sepse jam i bindur se nuk e marrin pushtetin sërish dhe nuk dua që ata, të cilët nuk votojnë për PD-në, për faj të PD-së, vota e tyre të humbë, por t'i marrë një forcë tjetër, që është e djathtë, që është pikërisht Poli i Lirisë.
Kjo forcë është krijuar për të grumbulluar të gjithë ata që nuk janë në një mendje, me ata që janë në krye të PD-së, dhe me idenë tjetër që këto vota të mund të përdoren në të mire të demokracisë dhe të rindërtimit të një partie realisht demokratike. Sepse PD-ja nuk quhen ata që janë në godinën e PD-së, ata janë qiraxhinj, dhe brenda vijës së verdhe nuk legalizohet nga qiraxhiu i godinës.
Për premtimet e PD-së
Unë kam thenë që janë zvarritur. Pra, nuk janë realizuar. Dhe nuk po shohim që të thuhet se si do të realizohen praktikisht dhe përmasat e detyrimit që ka shteti, veçanërisht për ish-të përndjekurit dhe ish-pronarët.
Dimë që ligji për Drejtësinë nuk është bërë, që janë bërë ndryshime absurde në Kushtetutë brenda 24 orësh, ku në çdo vend të botës nuk bëhen në këtë mënyrë, e shumë gjëra të tjera që tregojnë se metodat nuk janë as transparente dhe as demokratike. Për këtë arsye, unë nuk mund të jem dakord, dhe për të dalë tek ajo që thatë ju në fillim, heshtja ka qenë një formë për të treguar se nuk kam qenë dakord.
Çfarë duhet të ndryshojë në PD
Të kthehet në një parti të demokratizuar. Kjo do të thotë që, njerëzit të cilët janë aty, janë një minimum që u takojnë përgjegjësitë në PD, nisur nga postet që kanë pasur. Ndërsa të tjerët duhet të zgjidhen dhe jo të katapultohen, aq më tepër të importohen. Duhet të ketë meritokraci.
Pse me LZHK-në
Poli i Lirisë është si një alternativë e qendrës së djathtë. Njerëzit që bëjnë pjesë në të, kanë treguar se duan të luftojnë për të djathtën e qendrës. Pra, për realizimin e atyre detyrave që janë të së djathtës. Pra, vendosja rendit, mbrojtja familjes, realizimi i çështjes së të përndjekurve, pronarëve që deri më tani po zvarriten, ekonomia e tregut, largimi i klientelizmit, i monopoleve, i evazionit fiskal, që nuk shohim që të bëhen.