E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krerët e shtetit, nderim të rënëve të kombit

Krerët e shtetit nderuan dje të rënët e kombit në ditën e 5 Majit. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha, ministrat dhe drejtues të politikës në vend bënë homazhe dje në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit dhe vendosën kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”. Kreu i shtetit, Topi, deklaroi se kjo ditë e shënuar vjen si çdo vit tjetër me një simbolikë të veçantë. “Sot është dita kur ne rifreskojmë kujtimin e të rënëve për kombin dhe natyrisht që vepra e tyre është e paharrueshme”, - u shpreh z. Topi. Kurse Kryeministri Sali Berisha vuri në dukje se shqiptarët nderojnë 5 Majin, më të lehtësuar se kurrë ndaj të rënëve, pasi kanë siguruar njëherë e përgjithmonë dinjitetin kombëtar me anëtarësimin e vendit në NATO. "Sot është një ditë që çdo shqiptar përulet me nderimin më të madh dhe mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë atyre që flijuan jetën, rininë dhe çdo gjë të shtrenjtë për lirinë e kombit dhe vendit. Sot më shumë se kurrë, shpirti i tyre shkëlqen dhe rrezaton në zemrën e çdo shqiptari dhe ndriçon rrugën tonë drejt të ardhmes", - u shpreh Kryeministri. Sipas tij, "ëndrra dhe ideali i dëshmorëve të kombit, për të cilin ata ranë për t'u bërë të pavdekshëm, është tani e sigurt njëherë e përgjithmonë". "Nderimin më të thellë atyre që ranë për të qenë ne të lirë, atyre që u flijuan për të pasur ne dinjitetin kombëtar dhe sot shkëlqejnë me shpirtin e tyre duke ndriçuar rrugën e kombit", - tha z. Berisha. Këtë 5 Maj dëshmoret nderohen edhe nga drejtues të partive politike. Ashtu si tradicionalisht, ceremonitë e liderëve të opozitës u zhvilluan veçmas homazheve të krerëve të shtetit. Dita e 5 Majit, dita e Dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare, nderon 28 mijë dëshmorët e luftës 1939-1945.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›