E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleksandër Moisiu, njeriu që zbulohet mes letrash intime

Letërkëmbime me babanë, nënën dhe motrën Sofi, përshkrime dhe përshtypje për Durrësin e Triesten, fotografi nga episode të 

 ndryshme të jetës, regjistrime zanore nga shfaqje të ndryshme, janë përmbledhur të gjitha në një libër për mjeshtrin e aktrimit. Aleksandër Moisiu, aktori i njohur vjen i përshkruar “Mes Triestes dhe Durrësit”. Një libër i shkruar për dhjetë vite me radhë nga arkeologu dhe historiani Sali Hidri. Në librin e tij, të promovuar dje në Tiranë, autori synon të sjellë nëpërmjet kësaj vepre, ato çka nuk njohim, ato çka nuk dimë për aktorin me famë botërore. “Duke qenë se prej 27 vjetësh kam qenë drejtor i Rrjetit Muzeal të Durrësit, me seli në shtëpinë muze “Aleksandër Moisiu”, pak nga pak fitova bindjen se duhet të realizoja një libër për artistin e madh Aleksandër Moisiu”, tregon autori i cili e ka studiuar personalitetin e Aleksandër Moisiut, nëpërmjet letrave. Libri nxjerr në pah biografinë e Moisiut dhe shoqërohet edhe me CD, që përmbajnë recitime në gjermanisht të Aleksandër Moisiut, fragmente të kryeveprave të literaturës botërore. “Por autori në këtë vepër përshkruan me hollësi vendin e lindjes së Moisiut, Triesten, duke na e bërë më të afërt dhe pse jo ta duam për vetë faktin se në përshkrimin e rrugëve dhe shesheve të këtij qyteti sikur ndjejmë vetë Moisiun”, shkruan redaktori i veprës, Hasan Ulqini. Thelbi i librit qëndron në korrespodencën e Moisiut me të afërmit e tij, babanë, nënën, motrat, nëpërmjet të cilave arrijmë të shohim një tjetër Moisi, një aktor jashtë skenës së teatrit, anën e panjohur të tij, Moisiun njeri. Por libri mbyllet me ditët e fundit të jetës së aktorit shqiptar, ku padashur jo vetëm autori Sali Hidri, por edhe vetë lexuesi ndjen dhimbje.  “Për mua letrat e Moisiut janë paraqitja autentike e prejardhjes së familjes së tij, janë shpirti dhe ndërgjegjja e fisme e tij, janë dilemat, shqetësimet, dashuria e përkujdesja ndaj njerëzve më të afërm për të, dashuria për punën e përkushtimin e pandalshëm, janë hovet shpirtërore, janë mendime filozofike, respekti e vlerësimi për jetën, për punën e artin skenik”, shprehet autori Sali Hidri, i cili në këtë libër ka përfshirë vetëm një letër, që Moisiu ia dërgon të atit Moisi Moisiu, e cila mjafton për të kapur një dëshirë të madhe e respekt për të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›