E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkurs edhe për një universitet të dytë

Studentët që duan të nisin një universitet të dytë, nuk do t’u nënshtrohen provimeve të maturës shtetërore, por do të konkurrojnë për të fituar sipas kritereve të secilës shkollë të lartë. 

Në total janë përcaktuar 500 kuota për të gjitha degët. Shpërndarja e tyre do të bëhet nga Ministria e Arsimit në shtator pas propozimeve që do të bëjnë vetë fakultetet. Kjo procedurë saktësohet edhe në vendimin e dytë ditëve më parë e marrë nga qeveria. “Kandidatët që duan të vazhdojnë një program të dytë studimi, do ta fitojnë atë kundrejt kuotës së përcaktuar nga MASH sipas kushteve të Institucioneve të arsimit të lartë publik, pa iu nënshtruar detyrimeve të “Maturës shtetërore”, thuhet në vendim. Në të sanksionohet se këta kandidatë, por edhe ata që do të duan të transferojnë studimet do t’i nënshtrohen tarifave të veçanta të shkollimit, të përcaktuara në udhëzimin e përbashkët të Ministrisë së Financave dhe asaj të Arsimit. Në këtë udhëzim tarifat variojnë nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë në vit. Degët e Mjekësisë, Inxhinierisë, Ekonomisë dhe Drejtësisë, që janë më të preferuarat, kanë një tarifë vjetore prej 100 mijë lekësh. Kjo tarifë paguhet në nisje të sezonit të parë të provimeve, pra në muajin shkurt dhe qershor të çdo viti akademik. Sakaq, studentët që kërkojnë të transferojnë studimet nga një program studimi apo nga programe të mëparshme në një program tjetër studimi brenda të njëjtit universitet, duhet t’i nënshtrohen tarifës së përgjithshme vjetore të shkollimit. Shtetasit e huaj që do të vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi, i nënshtrohen të njëjtës tarifë si shtetasit shqiptarë, me përjashtim të rasteve kur në marrëveshjet zyrtare shtetërore janë përcaktuar mënyra të tjera të vendosjes së tarifave. Vetëm dy ditë më parë Këshilli i Ministrave miratoi kuotat e pranimit për të gjithë shkollat e larta publike në vend. Këtë vit do të kenë mundësinë të nisin një shkollë të lartë më shumë se 6 000 maturantë se vitin e kaluar. Në pjesën më të madhe të degëve është rritur numri i pranimeve, por ka edhe nga ato të preferuara tek të cilat është reduktuar. Tarifat e shkollimit për vitin akademik 2008-2009 nuk do të jenë të njëjta me ato të vitit të kaluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›