E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përsëritet “Gërdeci”, Sofja përfshihet nga zjarri

Bullgaria është tronditur nga një “Gërdec” në afërsi të kryeqytetit Sofje në mëngjesin e djeshëm. 

Shpërthime të njëpasnjëshme që zgjatën, ashtu si në Gërdec, për disa orë me radhë, terrorizuan banorët dhe i detyruan ata të braktisnin banesat e tyre. Shpërthimet ndodhën në objektet për asgjësimin e municionit (dy depo çmontimi), i cili është në pronësi të sektorit ushtarak, midis vendeve Çepinci dhe Çelopeçene, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme në Bullgari. Ende nuk ka informata për viktima gjatë shpërthimit dhe në vendngjarje janë dërguar menjëherë ekipe të policisë, njësi të zjarrfikësve dhe ndihmë e parë mjekësore, si dhe “Mbrojtja qytetare”. Vendi është bllokuar nga pjesëtarët e policisë, ndërsa nga fuqia e shpërthimit janë shkaktuar dëme materiale. Pas kontrolleve të kryera të ajrit, është konfirmuar rritja e pranisë së dioksid karbonit. Katër autobusë kanë shkuar në drejtim të Çelopeçenes në rast të evakuimit eventual të banorëve për shkak të tymit. Presidenti bullgar, Georgi Pervanov, shkoi menjëherë në vendin e incidentit dhe kërkoi informata nga organet kompetente për situatën në rajonin e Çelopeçenes. Sipas shefit të Shtatmadhorisë, bëhet fjalë për shpërthime klasike, gjatë të cilave nuk shpërndahen materie të rrezikshme toksike për banorët. Kryeministri bullgar, Sergej Stanishev, bëri thirrje për mbledhje urgjente të qeverisë pas incidentit, i cili ndodhi në mëngjes. Shpërthimi i parë është dëgjuar në orën 06:30 minuta dhe shkaktoi zjarr të fuqishëm në rajonin e Çelopeçenes. “Rrezik për popullatën nuk ka”, tha ministrja për Mbrojtjen nga katastrofa, Emel Eten, në radion shtetërore. “Gjendja është nën kontroll”. Aeroporti ndërkombëtar i Sofjes, i cili ndodhet në pjesën lindore të qytetit, u mbyll për arsye sigurie. Fluturimet u spostuan në Plovdiv, 150 km në lindje të Sofjes. Meqë mund të ndodhin shpërthime të tjera, forcat e sigurisë nuk mund të hyjnë në zonën ushtarake. Sipas të dhënave jozyrtare, aty janë depozituar ndër të tjera 2500 tonë municion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›