E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët, dje protesta para Presidencës

“Ne nuk tërhiqemi”. Të vendosur e pa asnjë lëkundje dje pasdite minatorët zhvendosën protestën para institucionit të Presidencës. 

Me barrela, në gjendje të rënduar ishin sjellë përfaqësuesit e tyre. Ata hynë dje në ditën 16 të grevës së urisë. Bashkë me ta protestuan edhe ish-minatorët të ardhur nga të gjitha qytetet e vendit. Minatorët shpresojnë në një ndërhyrje nga kreu i shtetit, Bamir Topi, duke pasur parasysh se ka qenë i vetmi, i cili ka reaguar deri tani. Ata parashtruan edhe një herë kërkesat e tyre duke bërë thirrje që shteti të mos tregohet indiferent, gjë që deri tani e ka treguar mjaft mirë. Deklarata e tyre vijoi se, do të ndërprisnin edhe serumet, në përpjekje për të tërhequr vëmendjen ndaj plotësimit të kërkesave. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore nuk është aspak e mirë. Megjithatë punëtorët e minierave kanë theksuar se, do të vazhdojnë grevën deri në plotësimin real të kërkesave, për uljen e moshës së pensionit dhe rritjen e vlerës së tij. Grevistët kërkojnë nga qeveria realizimin e statusit të minatorit, një pension prej 25 mijë lekësh dhe pagë minimale 45 mijë lekë për çdo minator. Disa ditë më parë ata u shprehën të pakënaqur nga shërbimi mjekësor. Sipas tyre, në ambientet e grevës nuk kishin shkuar mjekë apo infermierë, ndaj ishin detyruar të merrnin mjekë privatisht. Menjëherë pas këtyre akuzave ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, dha urdhër që për minatorët të kishte trajtim 24 orë nga stafi i bluzave të bardha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›