E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shkodra Jazz Festival”, nis nga aeroporti “Nënë Tereza”

“Shkodra Jazz Festival” e ka nisur nga aeroporti “Nënë Tereza” në Tiranë, e më pas do të udhëtojë drejt Shkodrës, qyteti që do t’i mirëpresë për tri ditë. 

Festivali i njohur i xhazit në Shqipëri, “Shkodra Jazz Festival”, tashmë në vitin e saj të katërt, shfaqi për herë të parë në mjediset e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës një koncert, duke krijuar kështu mundësinë e shijimit të tingujve xhaz për të dashuruarit e shumtë të muzikës. Në vazhdim të konferencës për shtyp të mbajtur nga organizatorët e festivalit, përfaqësues të TIA-s dhe sponsorë të tjerë të veprimtarisë, u dha një koncert nga grupi i mirënjohur italian i xhazit Manomanouche. E pas saj, festivali do të vazhdojë rrugëtimin si çdo vit. “Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është skenë e një veprimtarie të rëndësishme artistike, duke sjellë sërish prova të marrëdhënies së veçantë që është krijuar mes nesh dhe artit në Shqipëri. Ne jemi tejet të kënaqur që ‘Shkodra Jazz Festival’ zgjodhi aeroportin si një skenë për këtë veprimtari, për të sjellë kështu disa tinguj të mrekullueshëm në mjediset tona, që i shtojnë elegancën këtij aktiviteti, tha Andrea Gebbeken, Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e TIA-s. Festivali që i kushtohet kujtimit të violinistit të mirënjohur shkodran Rrok Jakaj dhe organizohet nga shoqata që mban emrin e tij me bashkëpunimin e “Optional Music International”, do të vazhdojë deri më datë 5 korrik në qytetin e Shkodrës. Manomanouche, që performon në aeroport, luan në kitarë akustike, pjesë të kompozitorit Django Reinhardt. Ky grup përbëhet nga kitaristët Nunzio Barbieri dhe Luca Enipeo. Si rezultat i përmirësimeve infrastrukturore të ambienteve të veta, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është shndërruar në një vend të shkëlqyer për veprimtari kulturore e artistike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›