E Diel, 1 Nëntor 2026

Alessia Grieco Vessicchio - “Zgjedh gjithnjë meshkujt e gabuar”



Sonila Merolli

Ndërsa ulet në tavolinë, ajo nxiton të porosisë në shqip, një “kafe të shkurtër” dhe sikur t’i ikte gjithë jeta brenda atij çasti, nis të bëjë bashkë me një frymë, kujtimet nga periudha të ndryshme. Sigurisht sipas një rendi kronologjik, dhe kërshërive për të ditur shumëçka ndaj personit që fshihet përpos 39- vjeçares italiane, që prej dy vjetësh ka gjetur pasionin e humbur për televizionin në ekranet tona.
Me flokët prerë shkurt sa një majë gishti, siç diktonte dikur rregulli nëpër shkolla, por nga ana tjetër me veshje tejet sensuale, Alessia tregon se imazhi i saj ka ndryshuar katërçipërisht. Shumë vite të shkuara me kaçurrelat e gjata të kuqërremta që i binin në sy për së largu, ajo nuk mund të rrinte dy minuta në një vend, një zakon që e ruan ende. Mure të shkarravitura me pikturat e së ëmës, pianoja që nuk pushonte për asnjë çast me kompozimet e të atit dhe ajo që hidhte vjershat e saj në fletë A4 sa andej këndej. Me këtë frymë do të rritej e formësohej karakteri i Alessia Grieco Vessicchios, autores së programit “E Diell” në “Top Channel”. Për herë të parë ajo rrëfehet për veten, fëmijërinë, dashurinë, sukseset dhe dështimet.
Babain tuaj e njohim, po kush është gruaja që fshihet pas tij?
Nëna ime është piktore, por para disa vitesh nisi të shkruante një pjesë teatrale dhe tashmë po shkruan një libër. Ajo është një grua e madhe, luftarake. Im at e përmend gjithnjë, se çdo gjë që ka arritur, ia dedikon dy femrave që i qëndrojnë pranë, të cilat konvertuan një djalosh të thjeshtë lagjeje, në një kompozitor të madh. Imagjinoni një grua 8 vjet më të madhe, që i ka ndenjur gjithnjë përkrah, duke e këshilluar në çdo hap. Edhe sot e kësaj dite, babai im e ka pikë referimi, pasi ajo nuk është vetëm e fortë dhe energjike, mbi të gjitha ka një intuitë të përsosur. Ai nuk publikon asnjë këngë, pa marrë në fillim opinionin e saj.
Po ju ruani të njëjtin raport me të?
Raporti mes nesh është paksa kompleks, pasi ngjasojmë shumë dhe kësisoj lindin konfliktet, zihemi shpesh, por në të njëjtën kohë kemi një lidhje të fortë dhe një varësi nga njëra-tjetra. Për çdo gjë unë i kthej sytë nga ajo, kështu ndodh dhe anasjelltas. Nëna më lindi kur ishte 19 vjeç, një çupëlinë për vete dhe shpesh herë i them se jo vetëm ajo ka bërë rolin e nënës, por edhe unë kam qenë nënë karshi saj. Me vështirësitë që na ka sjellë jeta kemi rritur me njëra-tjetrën, si dy motra.
Të qëndrojmë tek fëmijëria e hershme, duke pasur pranë një baba si Peppe Vessicchio, nuk u tunduat të merreshit me muzikë?
Joshjes për t’u marrë me muzikë nuk i kam shpëtuar as unë. Që në vegjëli mësova të luaja në një pjesë të mirë të instrumenteve, pasi shembulli i tim ati ishte një shtysë e mjaftueshme. Për fat të keq, më mungoi vendosmëria dhe durimi për të studiuar me orë të gjata studimi. Kështu që e lashë, sa ishte herët. Nëse për instrumentet më mungonte durimi, kisha të gjitha të dhënat për t’u bërë një aktore e mirë. Në moshën 16-vjeçe u regjistrova në Akademinë e aktorit të madh Antonio Casagrande në Napoli. Isha nxënësja më e re, që ulej në auditorët e asaj akademie. Më pas kur mbusha 18 vjeç, u përgatita për një vit rresht për në Akademinë e Napolit, për të hequr dorë një ditë të bukur.
Përse hoqët dorë?
Jetova vite me ëndrrën për t’u bërë një aktore e madhe, e preka skenën e teatrit, ku punoja pa fund. Një ditë u zgjova dhe kuptova se nuk kisha karakterin e duhur për t’u bërë aktore.
Në ç’kuptim nuk kishit karakterin e duhur?
Isha 17 vjeç, me kaçurrela të gjata dhe një portret që binte në sy lehtësisht, por nga ana tjetër shtonte edhe zilinë e të tjerëve. Për më tepër, etapat nëpër të cilat kalojnë aktoret e reja, përdorimi i gjithë mjeteve për të arritur qëllimin, më lëkundi. Nuk më kishin edukuar në atë formë, as nuk kisha një karakter të tillë. Ndoshta do të isha bërë aktore e madhe, por siç thotë shpesh ime më, “bëre një hap pas ngaqë ishe e frikësuar për të përballuar një ambient të tillë”.
Ju ka mbetur peng?
Nuk jam bërë pishman. E doja teatrin, më pëlqente interpretimi, por në fakt tani e shoh me tjetër sy. Në profesionin e aktores duhet të pranosh se nuk je gjë tjetër veçse një mjet në duar e regjisorit dhe “skllav” i autorit, që të vë fjalët në gojë. Kreativiteti dhe idetë e tua janë të cunguara.
Pas braktisjes së dytë, me se u morët?
Më kishte ngelur në dorë dhe një letër tjetër, të shkruaja, siç kisha bërë gjithaherët. Kështu nisa ta mendoja seriozisht se e ardhmja ime mes letrave ishte ajo çka më përkiste dhe përligjte më së miri. Të shkruash poezi, tekste këngësh, tregime, pjesë teatrale, programe televizive... Gjithë ky krijim është njëmijë herë më mirë sesa të jesh ‘vegël’ e të tjerëve, kështu që nuk kam pengje.
Ju kujtohen vargjet e para që keni shkruar?
Isha 9- vjeçe dhe mbaj mend se kam shkruar tekstin dhe muzikën e një kënge për babin tim, me titull “Pema ime e madhe”, për t’i treguar sesa e zonja isha. Ai u mallëngjye jashtë mase nga “katrahura” ime.
Po teksti i parë që njohu suksesin, përtej dyerve të shtëpisë?
Kam shkruar një libër, për të cilën më vjen turp të flas, madje e kam botuar me pseudonim. Asokohe isha 19- vjeçe dhe u regjistrova në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë, pasi braktisa aktrimin. Deri sa të vinte koha e sezonit, vendosa të vizitoja Spanjën. Gjatë asaj kohe mendova se çfarë mund të bëjë një femër e vetme mes kësaj ngrohtësie. Kështu i shfrytëzova ato muaj për të shkruar disa tregime “të nxehta”.
Doni të thoni letërsi erotike, keni një kopje?
Jooo! Nuk kam asnjë kopje. Nuk ishte tipike letërsi erotike, por disa tregime paksa “të nxehta”, që ju siguroj mbetën fantazi në letra. Bëhet fjalë për vitin 1989. Kam shitur aq shumë kopje në Spanjë, por edhe në Itali kur u përkthye, sa u mblodhën nja tre milionë lireta, me të cilat bleva dhe motorin tim të parë dhe me krenari e them isha e pasur për ato vite.
Më pas me çfarë u pasurua kolona e librave “me drita të kuqe”?
Jo, i lashë mënjanë fantazitë “perverse”. Përpjekja tjetër ishte për t’u futur në rrethin e shkrimtarëve seriozë, por jeta më bëri t’i shtyja planet e mia të mëdha. Vijoj të shkruaj dhe kam tri libra dorëshkrim të pabotuar, por duke qenë se në atë periudhë të jetës po bëja njëqind gjëra njëherësh, u shkëputa nga çdo gjë. Për katër vjet u mora me përkujdesin ndaj vajzës sime dhe me mbrojtjen e diplomës.
çdo gjë që ka bërë në jetën e saj, qofshin plane, histori dashurie, dështime, braktisje, gabime nga të cilat është rritur, ajo do t’i rikthehej sërish pa u menduar dy herë... Ama kur vjen puna te premtimet, Alessia Grieco Vessiccchio nuk di t’i mbajë aq më pak t’i përsërisë, ndoshta ngase nuk do ta shtojë listën e saj ‘të zezë’. Ka bërë dy premtime në jetë: E para që nuk do të dashurohej kurrë me një muzikant dhe e dyta se nuk do të divorcohej asnjëherë në çdo rrethanë. E pasi nuk mbajti dot asnjë betim, dashuroi muzikantë dhe u divorcua pa e stërholluar situatën, tashmë i ka mbetur parulla “Kurrë mos thuaj kurrë”, si dhe rrëfimi mbi ndjesitë e përjetuara fort dhe pësimet...

Si u njohët me ish-bashkëshortin?
Isha 22-vjeç, ai 20 dhe pas tre muajsh u martuam. Kuptohet që kisha rënë “kokë e këmbë” në dashuri. Ai ishte muzikant dhe më donte shumë. Pas tre vjetësh lindi Tereza dhe tre vjet më vonë vendosa të ndahesha, pasi ndjehesha e palumtur nga martesa ime. Isha shumë e re për të sakrifikuar veten, për një lidhje, ku ishte shuar pasioni dhe nuk mund shtyja gjithë jetën. Kur je 50-vjeç, mund të ruash raportin për hir të viteve, por jo kur je 29- vjeç dhe ke gjithë jetën përpara, meritoja dashurinë, bashkëpunimin, por mbi nevojën për të folur me mashkullin përkrah, pasi ne të dy nuk flisnim më për asgjë. Ish-bashkëshorti as sot nuk më ka falur. M’u desh kurajë, pasi kësaj here familja ime nuk më përkrahu.
Si rrodhi jeta juaj pas divorcit?
Ia nisa nga zeroja. Punova edhe si bariste për të mbajtur time bijë. Në këtë periudhë nis dhe epoka e televizionit. Kisha një shoqe që punonte te kompania “Endemol”, u prezantova me një CV dhe kështu nisa të punoj atje. Në fillim me Pippo Baudon, tre vjet me “Grande Fratello”, ku përzgjidhja konkurrentët e më pas merresha me programe të tjerë. Ka qenë një periudhë kur ndjehesha e motivuar, por edhe kaotike. Ishte e lodhshme të shihje 1600 njerëz në një muaj e gjysmë.
Ndërkohë ç’ndodhte në jetën tuaj sentimentale?
Unë jam ajo e historive të gjata me një mashkull. Historia ime e radhës ishte me Gianlucën, me të cilin ndenja 5 vjet, por që kur vendosëm të ndaheshim ngelëm miq, pasi në këtë rast na humbi pasioni të dyve. Më pas u dashurova me Alessandron, një saksofonist xhazi, shumë i bukur. Me të përjetova dashurinë me D të madhe, por që e lashë të më ikte, kur pranova ofertën tek “E diell”. Largësia nuk e mbajti gjallë raportin, për më tepër ai më kërkoi të zgjidhja mes tij dhe punës. Iu përgjigja se zgjedh të mos zgjedh, por të kem përkrah një burrë që më rri përkrah. Në vijim kam pasur pasione, por dashurinë e vërtetë e kam provuar vetëm njëherë. Në Tiranë kam pasur një flirt me një të ri shqiptar që thjesht më emocionoi, por asgjë më shumë, pasi vjen momenti kur duhet t’i japësh fund.
Në shtypin rozë thuhet se ju ka tradhtuar “i dashuri”, asistenti juaj Vincenso, me një konkurrente nga “Big Brother”...
Vincenzo nuk është i dashuri im, unë kam bashkëjetuar me të edhe kur kemi qenë në Romë, që kur punonim me Baudon. Në sezonin e dytë u riktheva me të si asistent. Për fat të keq ka lindur i bukur, pasi shpesh e paragjykojnë si djalë të bukur edhe pse në të vërtetë është një djalë “kult”. Kisha nevojë për dikë që të punonte për mua, dhe ai pranoi. Kur erdha të gjithë thoshin ka sjellë me vete dashnorin, por nuk e vrava mendjen, pasi nuk kishte dhe nuk ka pasur asnjëherë asgjë mes nesh. Ne kemi lidhje të fortë, por unë nuk e shoh si mashkull, edhe pse do të vijojmë të jetojmë bashkë.
Pra jeni “beqare”?
Jam beqare, jo për zgjedhjen time, pasi pranë kam pasur meshkuj të bukur inteligjentë, që kanë diçka për të dhënë, në të njëjtën kohë edhe janë frikësuar nga pavarësia ime. Mua një mashkull duhet të më fitojë mendjen, të më joshë.. Për fat të keq nuk jam e lehtë, edhe pse e di që vitet kalojnë dhe pretendimet më mbeten si njëzet vjet më parë.

Dy baballarët e Alessias

Mban dy mbiemra, Grieco dhe Vessicchio, që lehtësisht mund t’i ngatërrosh me statuset beqare/e martuar, por historia e tyre sa vjen e të shtyn të gërmosh në rrënjët gjenealogjike të familjes së Alessias. “Dy mbiemrat e mi lidhen me dy figurat mashkullore që vijojnë të më ndjekin përgjatë jetës sime. Unë jam vajza e adoptuar e kompozitorit Peppe Vessichio, i cili u martua me nënën time kur ishte 20 vjeç, ndërsa ajo 28. Asokohe unë isha 6 vjeçe, pra kemi 14 vjet diferencë”, shprehet Vessicchio, duke nxituar ta rimarrë rrëfimin, për të folur mbi atin natyral. “Me babain që më solli në jetë, kam pasur një raport të vështirë, pasi ndarja ishte e dhimbshme dhe unë isha “e plagosura” nga divorci me sherre bujëmëdha. Ai u zhduk kur mamaja ishte 25 vjeçe dhe nuk kisha si mos ta ndieja këtë gjë”, tregon ajo, me sytë e përhumbur në kujtime, nga të cilat vrapon të dalë. Me optimizmin që e karakterizon 39-vjeçarja vë buzën në gaz, edhe kur flet mbi vitet e vështira, që nuk gjen asgjë për të qeshur. “Jeta më mori diçka më dha një gjë tjetër. Pata fatin të kisha një baba që më rriti, që vërtet nuk kemi të njëjtin gjak në vena, por që është një burrë i madh. Ai nuk më lëshoi më dorën, edhe pse ishte vetë fëmijë. Ngado thotë se Alessia është ime bijë dhe nuk deshi të bënte fëmijë të tjerë. Peppe është fansi im më i madh. Që nga kënga që i kushtova, në teatër ishte gjithnjë në radhë të parë, por në të njëjtën kohë edhe kritiku më i madh dhe vijon ta bëjë edhe tani”. Me gjithë dashurinë karshi bab Vessicchios, tanimë pa hatërmbetje dhe akuza ndaj babait tjetër, ajo shprehet: “Kur linda time bijë ne u riafruam dhe unë e dua në një mënyrë kafshërore, edhe pse asnjëherë nuk e kam akuzuar, apo mbajtur mëri ndaj tij. Mbaj në vath një shprehje që më ka thënë ime më: “Dashuria dyfishohet nuk ndahet...”.

“Gruaja e vogël” e Alessias

Sapo fillon të flasë për Kikën, “gruan e vogël” të pavarur, zilja e telefonit e ndërpret bisedën. Nga ana tjetër e aparatit dëgjohet thirrja “mama”. është Tereza, vajza 14 vjeçe e Alessias, që me një frymë i rrëfen se po vuan nga dashuria... E ka lënë prapa, por e di që edhe e bija, tanimë nuk ka më nevojë aq për të, pasi gjyshërit jo vetëm e përkëdhelin, por i japin shembujt që Kika të zgjedhë kur të vijë momenti. Ndërsa sa herë ka nevojë për një këshillë, apo një shpatull ku të qajë, ajo i drejtohet skype-t apo telefonit, për të folur me shoqen e saj më të ngushtë, Alessian. Nga ana tjetër, Terezës i pëlqen mos të ketë pranë një mama që “do t’i çante veshët”. “Me meshkujt kam qenë një katastrofë, “e specializuar” për të zgjedhur njeriun e gabuar, edhe pse do vijoj ta bëj, si partnere jam e vështirë, duke qenë një grua e pavarur, nuk jam shembull as si bijë, ama si mama është e vetmja gjë ku ia kam dalë mbanë. Ndoshta duke iu kundërvënë traditës, por kam rritur një zonjushë të ekuilibruar, të lumtur me gjërat e moshës së saj, dhe për fat ende fëmijë”, tregon Alessia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›