E Diel, 1 Nëntor 2026

Sportistja Marjana Gjoka“Dashuria është e mirëpritur”



Sonila Merolli

Ndonjëherë “shakatë”, që të bën jeta, dalin përtej rrëfimit të romanit “Shakaja” të Milan Kunderës. Cilado qoftë forma, përmbajtja mbetet e njëjtë. Ajo do ta përligjte një shembull të tillë. Fati mund të kthejë drejtim sa hap e mbyll sytë, nga koshat e basketbollit, tek shifrat, për të pastruar shtëpitë greke. Nuk i vjen keq që jeta i ndryshoi katërçipërisht e aq më pak turp nga puna e saj, nga e cila ka mbijetuar. Ky është kalvari nëpër të cilin ka rrjedhur jeta e Marjana Gjokës, një ndër atletet e njohura në vitet ’60, njëkohësisht dhe basketbolliste e ekipit të “Kastriotit” të Krujës, e cila prej 19 vitesh jeton në një qytet të vogël në Greqi. “Gjuha” mes shifrave, ka bërë që rrëfimi i saj të jetë i saktë dhe konciz, megjithëse historia e kësaj gruaje nuk mund të qëndrojnë brenda kornizave. Ish- basketbollistja e “Kastriotit” tregon sesi theu mentalitetin e viteve ’60, duke u zhveshur me kilota, për të realizuar ëndrrën e saj të hershme. Si rrodhi më tej jeta e emigrantes që la pas sportin, punën si ekonomiste, por dhe një martesë të dështuar..
Zonja Marjana, ju njiheni si një ndër atletet e para në vitet‘60 që nuk u tutët nga mentaliteti absurd i kohës, aq më tepër në qytete të vogla si Laçi. ç’ju shtyu drejt sportit?
Në shkollën fillore kujtoj që pranë meje kisha mësuesen e dashur Drita Nikshipi, e cila kishte në patronazh vajzat e vogla akrobate të Laçit. Që nga ajo kohë në pasionin tim ishte sporti, e fillova si akrobate dhe më pas vazhdova me mësuesin e gjimnastikës Filip Nita, i cili më zbuloi të dhëna në atletikë. Nga këta dy mësues të shkëlqyer filloi jeta ime sportive, e cila vazhdoi edhe në shkollën e mesme me mësuesin e fizkulturës Ndue Tarashi, që me stërvitje të fortë e të lodhshme bëri që për shumë vite emri im të mbajë vendin e parë në garat 800 metra, 1000 metra e 5000 metra.
Po basketbolli kur hyri në jetën tuaj?
Në të njëjtën kohë, nisa të merrem me basketboll, me ekipin e qytetit të Krujës, “Kastriotit” për vite me radhë me trajnerin e palodhur Pjetër Xhuxha. Ishim një grup vajzash nga Laçi, por përfaqësonim Krujën. Kush mund t’i harrojë ato vajza çapkëne nga qyteti i vogël, Laç. Ishin vite të pashlyeshme.
Pasi braktisët sportin, ku punuat?
Kam qenë e martuar në Shkodër, ndërsa punoja në Koplik si shefe llogarie pranë Këshillit Popullor, nga viti 1977 deri në vitin 1991. është e vërtetë që ka një ndryshim të madh, çdo punë siç ka rëndësinë e vet, ka edhe lodhjen. Atje puna ime ishte e vështirë, me llogarinë dhe kontrollet në ekonominë e institucioneve të ndryshme që kishim në ngarkim, e me gjithë vështirësitë e veta ajo punë kishte më shumë lodhje mendore, e kjo që bëj në Greqi ka lodhje fizike.
çfarë pune keni bërë përgjatë dy dekadave?
Punoj si ndihmëse shtëpiake, pastroj në fabrikë (zyrat) si dhe një bankë, e përveç lodhjes fizike është edhe ajo psikologjike, pasi çdo ditë oreksi nuk është i njëjtë për punë. Megjithëse nuk më detyroi njeri, vetë e zgjodha… Do të vazhdoj sa të kem mundësi.
Nga tri fëmijët tuaj, a ka ndjekur ndonjëri gjurmët tuaja në pasionin e madh ndaj atletikës dhe basketbollit?
Po, djali im 24 vjeç, Jorgoja, merret me sport e punon sipas mundësive e kushteve që ka. është një djalë me karakter të fortë shqiptar e këtu njihet “shkodrani”, edhe pse ka udhëhequr “maratonomakët” me flamurin grek. Pas medaljeve e rekordeve në 1000 metra në atletikë, për momentin luan futboll me një skuadër të kategorisë së dytë. Por, djali nuk është i vetmi që ngjan me jetën time sportive. Edhe vajzat janë marrë me atletikë, por jo si profesioniste, si amatore. Në vitin 2008 Alesia, mbesa ime 10 vjeçe, së bashku me partnerin Italian, Mikele fituan vendin e parë në dancin sportiv “Best Dance” në San Benedetto. Ndërsa nipi, Giusepe është më i vogël dhe ka fituar vendin e pestë në dancin sportiv. Për këtë janë ftuar edhe në revistën televizive të qytetit.
Thatë se i keni vënë vetes qëllim të hidhni në letër gjithë jetën tuaj. Përveç përjetimeve si sportiste a keni ndërmend të rrëfeheni në ndonjë kapitull për divorcin tuaj, dashurinë, pasionet, por edhe vuajtjet që ka kaluar?
Po sigurisht, nuk mund t’i anashkaloj vuajtjet si një nënë e vetme në emigracion, për të rritur 3 fëmijët e saj. Për jetën time çfarë mund të them. Bëra një martesë, e atë që mbaj mend është se “fryti” i kësaj martese ishte Nënë-3 fëmijë. Në një martesë e cila përbëhet nga dy persona, kur ndjehesh e vetme e mbi shpinë ke tërë peshën e familjes ma merr mendja se nuk mund të vazhdojë..
Në jetën tuaj paralele, si femër, si grua keni menduar ta rifilloni pas divorcit?
Ndjehem e lodhur, pasi vitet kalojnë, por në jetën time nuk ka asnjë ndryshim. Dashuria nuk është as raft e as komodinë që të mund të luhet nga një qoshe e dhomës në një tjetër, por po erdhi është e mirëpritur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›