Flutura Açka - S’u shërova dot prej shkujdesjes
Ani Jaupaj
Edhe pse shumë syresh mund të kenë të njohur më shumë aromën e barit të sapokorrur sesa atë të librit të saposhtypur, shkrimtarja Flutura Açka i ka të dyja të shumëpëlqyerja. Më shumë se të gjitha, do njihte mes miliona të tjerëve aromën e një burri… Po tjetër? Lumturi të vogla e të mëdha, kujtim i hershëm, fjalë, zhgënjim, dashuri… dhe ajo bjerraditja që nëse do të mundej do ta kishte ndryshuar…
Kur keni qenë e lumtur?
Shpeshherë. Më së shumti njeriu është vetë krijuesi i lumturisë së tij, i atyre lumturive të “vogla” të përditshme. Nuk ka lumturi “të madhe”, të zbritur nga qielli.
Cila është frika juaj më e madhe?
Humbja e vetëdijes fizike... dhe letrare.
Cili është kujtimi juaj më i hershëm?
Kam të fiksuar vetëm një çast: Unë, një fëmijë katërvjeçar, gjatë rrugës për t’u bartur te shtëpia e re, duke mbajtur në duar diçka, mbase ndonjë orendi. E thashë çast, pasi tek unë është vetëm fotografi, pa lëvizje. Aty fillon kujtesa ime.
Cilin person të gjallë admironi, pse?
Janë dy... dhe meshkuj, në fakt. Njëri prej tyre është im atë, pasi është për mua identifikimi i pafajësisë. është qenia, e cila, pa fjalë më ka shpjeguar thelbin e “njeriut të mirë”. Tjetri, edhe ky një burrë, m’i jep kuptim ekzistencës.
çfarë nuk pëlqeni te vetja?
Shkujdesjen, që shpesh më ka shkaktuar probleme. Nuk u shërova dot kurrë prej saj.
çfarë ju bën të zymtë?
Një mot gri, një nga arsyet e para përse nuk mund të rri gjithkohë në Holandë. Më bën të zymtë edhe një mjedis i pakëndshëm, një mbrëmje me shoqëri të sforcuar dhe të rastësishme.
Për çfarë iu detyroheni prindërve tuaj?
Nënës për racionalitetin, babait për shpirtin.
Zakoni juaj më pak i bukur?
Të shkoj me vonesë, ose t’i harroj takimet, pasi nuk mbaj axhentë.
Aroma juaj e preferuar?
Era e letrës së librit të saposhtypur dhe e barit të sapokorrur. Ndërsa ndër fragrancat, me vite kam qenë e joshur nga “Dolce vita” e Cristian Dior, atëherë kur isha më e re. Tani e kam ndërruar, por nuk e tregoj dot, pasi parfumi është po aq intim sa seksi. Po... kam edhe një aromë burri, që do ta kisha dalluar mes milionëve.
Fjala juaj e preferuar?
Në shqip kam shumë fjalë të pëlqyeshme, në rrëfimet e mia kjo vihet re dukshëm. Fjala “cub” më pëlqen shumë, me atë shkurtesën e saj fatale e shpjegon të gjithë kuptimin. Ka dhe një notë groteske. Në anglisht fjala “katedrale” ka një shqiptim me muzikalitet të lartë: Kalthidro. Po ta përdorësh kështu, të shqiptuar, këtë fjalë mund ta vesh në përdorim lehtësisht, si në një sfond mitologjik, po ashtu edhe në një komunitet klonesh. Se ç’lidhje ka ky shqiptim gati sensual (ju lutem, lexojeni fjalën “kalthidro” me vijë melodike) me zymtinë e katedraleve, unë nuk e di, por është një lidhje që nuk e zhbëj dot.
Filmi juaj i preferuar?
“Një ditë e paharrueshme” për lojën dhe kreshendon epike mbi dashurinë dhe “Të jesh Xhon Malkoviç” për nënteksin dhe ngarkesën psikologjike.
Cilin rol do të donit të luanit në filmin e jetës suaj?
Rolin e gruas së bindur, nëse do të kishte diku në atë film ndonjë grua të tillë të njohur prej meje, thjesht, për t’ia njohur shijen.
Cila është gjëja e më e keqe që ju kanë thënë?
Në sy nuk më ka ndodhur të më thonë ndonjë fjalë. ”Vamp” (grua fatale), ma thotë ndonjëherë im shoq me shaka. Kjo duket fjale e keqe, por s’është hiç e keqe.
Kujt do të donit t’i thonit “Më vjen keq” dhe përse?
Një mikut tim të vjetër, shtrëngesa e miqësisë me të cilin m’u diktua nga rrethanat.
Përkufizimi juaj për dashurinë?
Dashuria është dimensioni i pestë, matrica e të gjitha dimensioneve që njeriu shquan. Ndër tri gjërat të detyrueshme në jetë: Lindja, Dashuria dhe Vdekja, e pasigurtë është vetëm Dashuria. Për ta bërë atë të sigurt, nuk të mjafton vetëm fati. Dashuria, ajo me të gjithë plotërinë e saj, është ndjenjë dhe kimi, dhe alkimia e bashkimit të të dyjave është një e fshehtë që lidhet me yjet... gati hyjnore.
A keni thënë ndonjëherë ”Të dua” pa e ndjerë?
Jo, sepse ka ndodhur rrallë dhe ka qenë e vërtetë.
Cili ka qenë zhgënjimi juaj më i madh?
Zbulimi i vesit të veshur me kollare.
Nëse do ta rishihnit të kaluarën tuaj, çfarë do të donit të ndryshonit?
Bjerraditjen, do ta kisha riparuar padyshim humbjen e padrejtë të kohës.
Kur keni qarë për herë të fundit dhe pse?
Tani qaj rrallë dhe vetëm prej emocionesh të forta. Një përlotje të fundit ka ndodhur në një program televiziv të kohëve të fundit kur duhet të flisja për kujtime shumë të dashura.
Si qetësoheni?
“Qetësia është e frikshme”, e them diku në një varg. Shqetësimet nga të cilat bartem unë shpesh, nuk kanë nevojë për qetësim, sepse janë thelbi im. Sa për shqetësimet e vogla prej të tjerëve, nuk kam kohë.
çfarë do ta përmirësonte cilësinë e jetës suaj?
Një shoqëri ndihmuese, mirënjohëse, jo shpërfillëse si e jona. Mbase statusi i shkrimtares profesioniste, do ta kishte ndryshuar cilësisht jetën time letrare, por ne nuk e njohim këtë standart.
Cilën konsideroni arritjen tuaj më të madhe?
Të ruajturit e thelbit tim, e shtresimeve të mia, pavarësisht lëvizjeve tektonike të kohës.
çfarë ju mban zgjuar natën?
Natën punoj (edhe ditën punoj). Tani që po ju kthej këtë përgjigje ora thotë 2:02 e natës.
Si do të donit t’ju kujtonin?
Me dritë qirinjsh dhe poezi.
Cili është mësimi më i madh që jeta ju ka dhënë?
Modestia... dhe këtë e kam kultivuar duke lexuar dhe jetuar me të mëdhenjtë.
Ku do të donit të ishit pikërisht tani?
Në gjumë do të qe më e besueshmja. Por unë do të zgjidhja: Natën, vetëm, në rrugën e madhe, nën shi... pa çadër.