Irma Kurti - Më largoi bota e frikshme e artit
ANI JAUPAJ
është e rrallë që një poet të mbetet vetëm brenda zhanrit të vetë të krijimtarisë. Mbase lind si nevojë e brendshme, si një shkarkim që duhet të shpërthejë në përmasa më të mëdha, hapësirë të cilën ndoshta nuk mund ta mbushin vargjet e poezisë. Zbulohen më pas tregimet, novelat… e nëse shëtitja në lëmet e reja ka shkuar mbarë, romani nuk vonon t’ia behë. Në fund të fundit, të shkruarit, duhet të jetë një detyrim përtej egos së thjeshtë, një shtytje përtej kompleksit për brezat e ardhshëm, është dëshirë që nuk duhet harruar, e cila e nxit revoltën kundër anonimitetit dhe harresës. Ky ‘detyrim’ mund të çlirohet vetëm në vetmi a në ethet e një përjetimi. Irma Kurti, i ka hedhur në letër vargjet e para qysh në kohën kur poezia bëhet ‘shpëtimi’ i të gjithëve, pra, 16 a 17 vjeç. Por për të, rruga qëlloi të ishte e gjatë, deri sa, pak kohë më parë, doli romani autobiografik “Midis dy brigjeve”. Roman në të cilin autorja shkarkon emocione, dhimbje e ndjesi negative që e mundonin nga e shkuara.
Si lindi ideja a nevoja e një libri autobiografik, cili ishte ngacmimi fillestar?
Nuk e kisha menduar asnjëherë shkrimin e një autobiografie. Shkrimi i këtij libri lindi më tepër si një nevojë e imja për të shprehur përjetimet, vuajtjet e mia, pas humbjes së nënës sime Sherifes, në Itali. Pas humbjes së saj, unë pothuaj çdo ditë nisa të shkruaj. Nisi nga ndjesia e boshllëkut, pasigurisë për të përballuar të përditshmen pa mamanë. Duke folur për dhimbjen time, ngjarjet që më sollën këtu, dalëngadalë unë nisa “të zbuloj” veten dhe mendova se mund të shkoja më tej.
çfarë zbuluat të re nga vetja, që nuk e njihnit më parë?
Unë mendoja se isha e fortë, e pathyeshme, mendoja që përballë dhimbjes do të dija të rezistoja. Në atë kohë kur gdhija netët e trishtuar, kur lutesha me sytë e drejtuar nga qielli, kur qaja e përqafuar në krahët e nënës sime se nuk kishte Zot të më ngushëllonte, unë kuptova se nuk isha 40 vjeç, por një fëmijë i trembur, i pambrojtur, që kishte nevojë në mënyrë të dëshpëruar për dashuri e për një strehëz ku të mbështeste kokën, që fatkeqësisht po ma shkulnin përgjithnjë. Humbja e njeriut tim ishte krejt e panjohur, e paprovuar më parë, çka shkaktonte përjetime të reja.
Cilës pjesë te jetës i mëshoni më shumë?
“Midis dy brigjeve” është një roman i ndërtuar mbi dhimbjen, përballimin e saj në jetën e përditshme. Por gjithashtu libri përfshin dhe pjesëza të fëmijërisë, krijimtarisë sime, pjesëmarrjen time në festivale dhe zhgënjimet në botën e artit.
Cilat ishin disa nga zhgënjimet?
Isha 16 vjeç, kur hyra për herë të parë në godinën e Radio -Tiranës. Më dukej ëndërr, por magjia u shua shpejt, dëshira ime e madhe për të bashkëpunuar me kompozitorët, u ndesh me një mur të fortë: njerëzit e artit, ata me emër, nuk ishin njerëzit që unë kisha në mëndje. Ishin jokorrektë, gënjeshtarë, shumë prej tyre imoralë. Nuk më shikonin si poete, por si një femër, që përpiqeshin ta shfrytëzonin, në këmbim të një kompozimi. Bota e artit, ishte një botë e frikshme sfidash! Mu desh të përpiqesha shumë, për të krijuar një emër, për të gjetur edhe pas shumë e shumë vitesh një kompozitor, një njeri, të cilit do t’i pëlqeja jo unë, por poezia ime.
Po koha më e vështirë, a përkon me ikjen nga Shqipëria, duke qenë që jeni larguar me shije jo të mire?
Gjithnjë kam qenë e ndarë midis dy vendeve, Italisë dhe Shqipërisë, dëshirës për të ikur nga vendi im dhe nostalgjisë që ndjeja sa herë e braktisja atë. Pjesa më e vështirë është pikërisht kur tregoj dhimbjen për nënën time. Në libër shkruaj për pakënaqësitë, zhgënjimet që nxitën ardhjen time në Itali përfundimisht.
Cilat kane qenë disa nga tekstet që i kanë rezistuar kujtesës së festivaleve?
“Urimi yt” ishte konkurrimi im i parë i suksesshëm në Festivalin e Interpretuesve ‘86. Më pas “Mbrëmja që mban dashurinë time” (’86), “Pranë të kaltri det” (‘87), “Një çast në kujtesën tënde” “Letër malli”, etj., në vitet pasues.
Pse i keni ndërprerë bashkëpunimet me festivalet?
Të marrësh pjesë në festivale tashmë është tepër e vështirë, duhet të bëhesh pjesë e klaneve e gjithë padrejtësive të përshkruara në libër.
Kur thoni për romanin është një udhëtim drejt vetes, ç’nënkuptoni?
Sa herë përballemi me ndjesi të panjohura njohim dhe një pjesë tjetër të vetes. Libri im është një udhëtim drejt vetes, ky udhëtim më ndihmon të zbuloj shumë të fshehta, shumë të vërteta që më parë s’arrija as t’ia pohoja vetes. Në vendin tim më trembnin paragjykimet,i vija gjithnjë kufi vetes, as me miqtë nuk mund të flisje për eksperiencat e tua personale, ishte një tabu. Kurse këtu, nisa të hapem, të belbëzoj në fillim me vështirësi e pastaj më me siguri gjithë ç’ndjeja.
Prej nga i keni nisur kujtimet?
I kam cekur të gjitha kohët duke nisur nga fëmijëria, krijimtaria, e deri së fundi me dashuritë e mija.
Ndalim pak te këto të fundit…si kanë qenë dashuritë?
Në libër zënë vend të rëndësishëm. Kam përshkruar historitë më të rëndësishme të jetës sime, çastet e bukura dhe zhgënjimet. Nuk kam cituar emra, përveç të njeriut me të cilin jam tani, e fejuar prej më shumë se 2 vjet e gjysmë. Kur kthej kokën pas e rimendoj ato dashuri, që më kanë bërë të vuaj, të qaj, të braktis shumë gjëra e të rrok shumë ëndrra të tjera, kam shumë pak nostalgji dhe natyrisht i njoh vetes dhe gabime. E ndrojtur, shpesh herë e pasigurt, e trembur në një botë aq të egër, ku mbizotërojnë veçse njohjet e ndërhyrjet, unë kërkoja me ngulm të kisha dikë në krahë, për t’u ndjerë e plotësuar, dhe pse kjo këmbëngulje e imja në këtë pikë ka pjellë gabime.