E Diel, 1 Nëntor 2026

Dilema Greke

Elsa Ballauri

Kënga e papritur e ushtarëve të forcave detare greke, që “qëlluan” me breshëri të rënda fjalësh fqinjët e tyre në ditën e tyre kombëtare, nuk është më një çudi nëse do të kujtojmë të njëjtin incident ndodhur pothuajse dy vjet më parë. Ajo që mund të na shqetësojë më shumë është pyetja: si mundet vallë të përsëritet skema dhe kjo ndodh në një ditë simbolike, dhe kjo ndodh menjëherë pas një fitoreje për të cilën grekët i ishin lutur Evropës, e cila iu hoqi atyre lakun e varjes së paralajmëruar.
U duk sikur, pas të gjitha deklaratave, takimeve diplomatike, shqetësimit qytetar, autokritikës të vazhdueshme qeveritare, intelektuale apo mediatike, situata nacionaliste ekstreme në Greqi do të fashitej. Përveç grupeve anarkiste, të njohura prej vitesh që mezi presin të krijojnë rrëmujën, shpesh herë me shkaqet e prezencës së të huajve, e sidomos shqiptarëve në Greqi, nacionalizmi i rrezikshëm që dëmton marrëdhëniet e fqinjësisë, komunitetin e emigrantëve shqiptarë, por edhe që i kthehet si boomerang vetë Greqisë, është nacionaliteti ekstrem i vetë shtetit grek.
Historitë me keqtrajtime njerëzish dhe vrasje nëpër kufij janë të vjetra, në njëfarë mënyre ato kanë pushuar. Por historia me radha të gjata shqiptarësh që presin të kalojnë kufijtë e Greqisë, por që janë të detyruar të vrasin kohën, energjinë dhe të çorodisin axhendën e tyre, duke dëmtuar edhe konceptet e lirisë së lëvizjes, kjo histori, vazhdon edhe sot e kësaj dite. Dhe nëse i pyet këta shqiptarë se përse nuk protestojnë për faktin që një polic i thjeshtë kufiri i mban të mbërthyer me orë sepse nuk ka qejf të punojë, apo thjesht do të tallet me ta, ose se nuk di se si përdoret kompjuteri, këta njerëz të radhave të përgjigjen: “Ne s’kemi shtet të na mbrojë, ndërsa ky polic grek më duhet sepse nesër do kaloj përsëri këtej.”
Marrëdhënia e shtetit shqiptar me atë grek, shpesh herë i ka kapërcyer nivelet e fqinjësisë së mirë, sepse një e tillë krijohet kur ka një barazi etike që nëse prishet, e dëmton komshillëkun. Nga njëra anë është shteti grek që nuk ka pyetur për një kohë të gjatë për trajtimin e rëndë që iu bën shqiptarëve, madje e pranuar nga vetë diplomatët grekë, përzgjedhja e policëve të kufirit në zonat e Kapshticës dhe Kakavijës bëhej enkas nga Ministria e Jashtme që ata të ishin sa më të paragjykuar, të paaftë dhe nacionalistë, në mënyrë që të kishin pikërisht atë sjellje të dhunshme dhe denigruese ndaj shqiptarëve.
Nga ana tjetër, kemi një politikë shqiptare, të përulur, të nënshtruar dhe shumë pak të kujdesshme për të mbrojtur interesat dhe të drejtat e qytetarëve të saj.
Vite më parë, nga selia e Ministrisë së Jashtme, pasi shkova të ankohem për disa qytetarë shqiptarë të keqtrajtuar në kufij, një zyrtar i lartë më tha: “Po e di ti se sa keq sillen shqiptarët atje”. Pas kësaj e kuptova se kjo faltore ishte mbyllur me dry.
Natyrisht që marrëdhënia Greqi –Shqipëri ka një dhënie –marrje të një interesi të lartë: shqiptarët që punojnë dhe që janë një nga eksportet më frytëdhënëse për vendin, dhe grekët që i kanë fuqizuar bizneset e tyre nga puna e shqiptarëve, sidomos në bujqësi dhe blegtori.
Të dyja palët janë të interesuar për njëri-tjetrin, prandaj diplomatikisht shqiptarët duhet ta shfrytëzojnë këtë situatë. Por mesa duket sjellja e tyre nuk është e lidhur vetëm me grekët, kjo është e lidhur me pasigurinë tonë politike që na bën të jemi shpesh herë jo dinjitozë për të mbrojtur të drejtën tonë.
Dhe e drejta jonë në marrëdhëniet shqiptaro-greke, nuk është diçka që qëndron vetëm në zyra dhe në fjalët absurde të politikanëve. Shkelja e kësaj të drejte i ka prekur dhe lënduar shumë shqiptarët. Ka shumë pak familje shqiptare që nuk iu është dashur të paguajnë bakshish për një vizë, të presin pa pikën e dinjitetit në radhët e turpshme nëpër ambasada, të presin me orë, madje me ditë në radhët e lodhshme të kufijve, vonesat tekanjoze të policëve grekë. Pastaj edhe rastet e shumta të keqtrajtimeve, vrasjeve, që vërtet nuk po ndodhin më, por kanë lënë gjurmë shumë të rëndë në kujtimet dhe shpirtrat e shumë familjarëve. Dhe kjo është një njollë e rëndë edhe për shtetin shqiptar.
Në një nga analizat më të mira që i është bërë Greqisë, Robert Kaplan, gazetar i njohur amerikan i jep asaj emrin: Gruaja e Lindjes, Dashnorja e Perëndimit. Dilemat greke të të qënit midis lindjes dhe perëndimit, jo vetëm gjeografikisht, por edhe psikologjikisht, të të qenit midis lavdisë së Greqisë Antike dhe shekujve të mërzitshëm të Bizantit, janë ende aktuale në kohën e sotme dhe grekët s’po i zgjidhin dot. Duke e njohur Greqinë shumë mirë, Kaplan përshkruan tërbimin nacionalist grek, i cili vetëm në qytetin e Selanikut gjeti rastin dhe largoi në mënyrë kriminale rreth 15 trena me hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këta njerëz shkuan drejt kampeve të përqendrimit në botë, dhe sot, s’ka qoftë një obelist në shenjë kujtimi për këtë komunitet të shuar.
Duke u kthyer në dhënie- marrjet shqiptaro-greke gjatë këtyre viteve, nuk dua aspak të mbroj “bëmat” e shqiptarëve që e kanë gërvishtur deri në gjakosje historinë e eksodit, mënyrën e padenjë dhe shpesh kriminale që shumë shqiptarë kanë përdorur si eksperiment për të njohur lirinë e tyre. Shpresoj se jemi në kohën që këto histori po harrohen. Hapja e Shqipërisë ishte traumatike dhe ndodhën shumë krime, vjedhje, parregullsi, shkelje ligji që shqiptarët e pamësuar me hapësirën e botës dhe konceptin e lirisë, i realizuan kryesisht me gjak të ftohtë. Gjithmonë, ky ka qenë procesi i kalimit të menjëhershëm nga një situatë politike në tjetrën. Ky ka qenë edhe postkrimi komunist që do të ndodhte vetëm kështu, dhe asnjëherë ndryshe… Por në ndryshim nga shumë qeveri të tjera e nga të tjerë popuj evropianë, vetëm grekët morën kamzhikun për të ndëshkuar fajtorët edhe me forma jo ligjore, edhe me forma që ishin përtej parimeve dhe konventave të të drejtave të njeriut që ata kishin firmosur vetë, kur u bënë pjesë e Komunitetit Evropian.
Përmenda qeverinë për të kaluar pastaj te sjellja e njerëzve. Ka një lidhje të padiskutueshme të mentalitetit të Qeverisë me popullin e vet. Sokrati e shpjegonte shumë thjesht këtë lidhje, nëpërmjet analogjisë: “është e vështirë të dallosh ç’ndodh me shpirtin, por e lehtë të shohësh ç’ndodh me shtetin. Duke e konsideruar shtetin një “makro-kozmos”(univers të madh), shpirtin e quajmë një “mikrokozmos”(univers të vogël). Kur gjërat të jenë rregulluar për shtetin, më pas shpirti mund të kuptojë dhe njohë të drejtat e tij”.
Kjo rrëfen se sa e rëndësishme është për konceptin e demokracisë një shtet që i rendit dhe i terezit gjërat siç duhet, sa më mirë të ndodhë kjo, aq më shumë dhe më lehtë transferohet në shpirtrat e qytetarëve…
Përpara dy vjetësh, në një breg të bukur të ishullin Limnos, në Greqinë Lindore, takova një grua diplomati, e cila pasi dëgjonte shqipen tonë, më pyeti: “ç’gjuhë është kjo”. I shpjegova që ishte shqip dhe ajo u çudit që nuk e kishte dëgjuar kurrë. “Kam pasur edhe një grua shqiptare, Elenën, më tha, që shërbente tek unë por s’e dija se si ishte gjuha e saj”.
Sigurisht që m’u qesh kur kujtova se rrallë herë shqiptarët nuk dinë t’i dallojnë gjuhët e huaja. Nga ajo që kam parë dhe dëgjuar në vajtje-ardhjet e mia në Greqi, mendoj se kjo është një nga fobitë më të mëdha që kanë shqiptarët në atje: të flasin shqipen, të thërrasin njëri-tjetrin shqip, të thonë që janë shqiptarë.
Por nga eksperiencat e mia të shumta të udhëtimeve në botë, kam mësuar se s’ka gjë më të bukur të shkëmbesh tingullin e gjuhës tënde dhe të dëgjosh tingullin e gjuhës tjetër, është një marrëdhënie çuditërisht e njohur, e vjetër, e ngrohtë, që i bën njerëzit të mësojnë dhe të respektojnë njëri-tjetrin.
Në Greqi kjo duhet fshehur dhe natyrisht edhe një zonjë e lexuar, siç ishte gruaja e ambasadorit që unë takova, nuk ishte kujtuar të pyeste shërbëtoren Elenë, se cila ishte gjuha e saj. Mësimi i marrë që në kopsht, se çdo gjë sillet dhe rrotullohet rreth Greqisë dhe se çdo gjuhë e ka prejardhjen prejandej (e respektoj për vlerat që i ka dhënë njerëzimit), është kthyer në një psikozë përjashtuese, që i ka bërë padashje grekët ksenofobë qesharakë në Evropën e sotme. Presioni që shteti ka ushtruar mbi individin, për t’i krijuar idetë e fryra nacionaliste, është një investim i gjatë grek, që për fat të keq mban të prekur nga kjo sëmundje edhe brezin më të ri në Greqi. Ky është shkaku kryesor, që ushtarët e rinj të forcave detare e kënduan këngën diskriminuese me gëzim të madh: shteti jo vetëm i ka edukuar nëpërmjet shkollës, por e mban gjallë frymën diskriminuese edhe në punësim, edhe në media, edhe në veprimin e institucioneve të veta.
Kriza greke nuk është thjesht një krizë ekonomike, por një krizë psikologjike dhe sociale që Evropa ka dashur ta riparojë.
Mungesa e shumë standardeve demokratike, në vend që të bëhej një model i mirë për Shqipërinë fqinje, e ka dëmtuar edhe më shumë atë. E megjithatë, aktualisht ka një debat real në Greqi pas incidentit, debate mes të majtëve dhe të djathtëve, në nivelin e politikanëve dhe intelektualëve.
Procesi i këtij debati dhe përfundimi i tij është me rëndësi të madhe për Greqinë, por edhe për Shqipërinë. Greqisë i takon të (ri)zgjedhë modelin e demokracisë së Platonit dhe Aristotelit për të treguar edhe njëherë se di të jetë një fqinje dinjitoz dhe i respektuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›