Alfabeti që s'tradhtoi Evropën
Kongresi i Manastirit, 100 vjet më pas. Profesor Kolec Topalli tërheq vëmendjen për hulumtimin arkivor të dokumentacioneve të paeksploruara për ngjarjen që krijoi alfabetin që kemi sot
Në nëntor, 14-22 të vitit 1908, në Manastir të Maqedonisë u mblodh kongresi që shpalli alfabetin e gjuhës shqipe të cilin trashëgojmë sot. Për çudinë e shkencës tonë, të parët që përkujtojnë një jubilar të madhërishëm si ky, është minoriteti shqiptar në Kroaci, të cilët më 11-12 prill organizuan të parin simpozium ndërkombëtar për këtë 100-vjetor me studiues nga vende të ndryshme të Europës, nga Zvicra, Anglia, Rumania, Kosova, Maqedonia. Shqipëria u përfaqësua me gjuhëtarët, Ledi Shamku-Shkreli, Tomorr Osmani dhe Kolec Topalli. Profesor Topalli në kthim dha një intervistë, duke hapur kështu ciklin e diskutimeve për Kongresin e Manastirit, nëse do të ketë një diskutim të hapur dhe të pasur kjo ngjarje e jashtëzakontë.
Aktiviteti në Zagreb është i pari në 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit. Në çfarë niveli përfaqësimi ishte kjo festë e parë?
Shqiptarët e Kroacisë përbëjnë një minoritet në shtetin kroat që përpiqen me të gjitha mënyrat të ruajnë atë që kanë më të vyer. Ka disa vjet që ata po përkujtojnë ngjarje të rëndësishme të kulturës sonë. U treguan më të shpejtë, sepse simpoziumi që u mbajt në Zagreb për 100- vjetorin e Kongresit të Manastirit, është aktiviteti i parë për këtë vit, i organizuar nga pakica shqiptare në bashkëpunim me misionin e kishës katolike që atje është mjaft e fuqishme.
Për çfarë mund flitet në një minoritet shqiptar në një përvjetor të tillë?
Për pjesëmarrjen dhe vendimeve që u morën në atë kongres ku u përcaktua që krahas alfabetit që ne kemi sot, do të përdorej për njëfarë kohe edhe alfabeti i shoqërisë "Stambolli" që kishte njëfarë tradite dhe që kjo ishte zgjidhje kompromisi. Koha tregoi se alfabeti që u caktua në Manastir ishte jo vetëm më i përshtatshëm për gjuhën shqipe, po edhe më praktik për botimin e librave në të gjitha shtypshkronjat e vendeve perëndimore.
Ju që në krye e rreshtoni si pretendim të kohës për t'u drejtuar nga Perëndimi?
Në radhë të parë kanë qenë rrethanat e jashtme, sepse sigurisht që nga xhonturqit nuk shihej me sy të mirë që shqipja të kishte identitetin e vet. Kjo tregonte që këtu ka një komb që ka kulturën e vetë, që kërkon të hapë shkolla, që kërkon të shkruajë gjuhën me një alfabet të vetin. U hartua një alfabet që do të merrte elementët më të mirë të shoqërive kulturore që kishin hartuar alfabete dhe kishin bërë njëfarë jete me botimin e librave të tyre. Këto ishin tri shoqëritë kryesore: Shoqëria "Bashkimi" që përfaqësohej nga Gjergj Fishta, Shoqëria "Stambolli" që përfaqësohej nga Mithat Frashëri dhe Shoqëria "Agimi" që përfaqësohej nga Ndre Mjeda. Secila nga këto kishte hartuar alfabetin e vet, me të cilin kishin botuar mjaft libra. Kujtojmë se me alfabetin e Stambollit ishin botuar librat e Naim dhe Sami Frashërit dhe të Vretos. Po kështu Shoqëria "Bashkimi" kishte disa muaj para Kongresit, "Fjalorin e Shoqërisë Bashkimi". Ishin botuar edhe abetare. Në të fund të fundit, kur erdhi puna, të gjithë u sakrifikuan për një alfabet të vetëm që nuk ishte as i Shoqërisë Stambolli, as i Agimit as edhe i Bashkimit, por ishte një alfabet që përfshinte elementet më të mira të tyre. Sigurisht alfabeti i "Bashkimit" pati peshën më të madhe duke pranuar shkronjat dyfishe. Kjo ishte zgjidhje e vetme e mundshme dhe më praktike. Nëse alfabeti që u mor nga latinishtja ka 26 shkronja, 26 shenja grafike me të cilat shpreh tingujt e saj, shqipja ka 36, si do të veprohej për ato që nuk i ka latinishtja. Kjo ishte arsyeja që u krijuan shkronja të tilla dhe u gjet mënyra më e mirë duke shmangur ato gërma që vinin nga alfabeti grek me të cilat kishin operuar disa nga alfabetet të krijuara para vitit 1908, mes të cilave edhe alfabeti i Stambollit, dhe njëkohësisht duke mënjanuar shenjat e shpeshta diakritike, karakteristike për alfabetin e sllavishtes.
Komisioni i Kongresit ka pasur më së shumti intelektualë jo gjuhëtarë, ku klerikët janë ndër të parët. Çfarë rrymash kulturore po përplaseshin, a dimë gjithçka për këtë pikë?
Alfabeti turko-arab që ishte përdorur deri në atë kohë në disa shkrime, sidomos në ato të bejtexhinjve, natyrisht ishte i papërshtatshëm, sepse nuk mund të mendohej në asnjë mënyrë që gjuha shqipe të shkruhej me shkronja arabe. Këtë nuk e ka asnjë nga gjuhët e Evropës, prandaj, Shqipëria duke qenë në Evropë çka e kuptuan fort mirë intelektualët e shquar të asaj kohe, gjetën rrugën më të përshtatshme që ishte pikërisht alfabeti me shkronja latine. Mos ta harrojmë se këtë alfabet kanë përdorur jo vetëm gjuhët neolatine, po edhe gjuhët gjermanike, madje edhe gjuhët indoevropiane të Evropës siç është hungarishtja apo finlandishtja dhe ishte jashtë mendjes që shqipja të dilte nga kjo rrymë e gjuhëve të Evropës. Kësisoj gjetja e alfabetit latin ishte në vazhdën e traditës më të hershme që kishte ndjekur vetë shkrimi i gjuhës shqipe. Libri i parë i gjuhës shqipe që është "Meshari" i Gjon Buzukut është shkruar pikërisht me shkronja latine. Po të shkojmë edhe më tutje, Formula e Pagëzimit më 1462, jemi në shekullin XV, është shkruar me shkronja latine, dhe kjo kishte krijuar një traditë e cila u sanksionua dhe u bë e ligjshme me Kongresin e Manastirit. Dhe të gjithë ishin të këtij mendimi. Ato regjionalizmat dhe pikëpamjet fetare që mbështeteshin tek ortodoksia, tek greku, nuk qenë të qenësishme të këtë Kongres, për arsye se bëhej fjalë për një alfabet të të gjithë shqiptarëve dhe u bë më e mira, meqenëse në drejtim të këtij komisioni pati njerëz vërtet të përgatitur, gjuhëtarë dhe jo gjuhëtarë. Nga gjuhëtarët më të përgatitur ka qenë Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi dhe personalitete si Gjergj Fishta që në atë kohë ishte 37 vjeç, i shpallur poet kombëtar sepse ndërkohë ai kishte filluar të botonte disa këngë të Lahutës së Malësisë. Ata e njihnin mirë dhe nuk qe diçka e rastit që një poet 37-vjeçar u vu të drejtojë komisionin. Ndonëse nga pikëpamja gjuhësore kishte më të përgatitur se Fishta.
Ka një pashistori kongresi?
Po, Kongresi shpalli alfabetin e sotëm që kemi ne, po njëkohësisht la në përdorim edhe alfabetin e Shoqërisë së Stambollit, meqenëse pati përkrahje të njërit alfabet dhe të tjetrit, aq më tepër kur alfabeti i Stambollit kishte botuar vepra të shkrimtarëve nga jugu i Shqipërisë, për të ruajtur një farë balancimi u lejuan të dy. Shumë shpejt, pas një viti u pa se alfabeti që u vendos, ishte i vetmi që mund t'iu shërbente shqiptarëve më mirë se asnjë tjetër. Ka pasur edhe kongrese të tjera, një tjetër në Manastir, dhe një në Elbasan, që kanë rishikuar rezultatet e të parit. Duhet thënë edhe diçka: ky nuk qe vetëm Kongres i alfabetit. Aty janë trajtuar shumë probleme të tjera, në lidhje me zhvillimin e arsimit dhe hapjen e shkollave që ishin kërkesa politike, për të cilat u ngarkua në atë kohë deputeti Shahin Kolonja që t'i paraqiste në parlamentin turk. Pra ka qenë një kongres me pretendime të forta që tregonte se Shqipëria ishte në pragun e Pavarësisë dhe nuk vonoi shumë, pas katër vjetësh, u shpall shtet i pavarur.
Alfabeti është quajtur nga një grup edhe si Abëcëja e gegëve.
Unë nuk do ta quaja abëcëja e gegëve, por abëcëja e të gjithë shqiptarëve. Me këtë alfabet u shkruan libra edhe në gegërisht edhe në toskërisht. Është quajtur ndoshta me këtë term për arsye se idenë për të paraqitur shkronja që i mungojnë latinishtes me dy shkronja bashkë, e ka pasur më tepër në përdorim Shoqëria "Bashkimi" me seli në Shkodër. Por ky nuk është alfabet vetëm i kësaj shoqërie. Në të janë shartuar këto tri alfabete dhe shumë shkronja janë marrë nga alfabeti i Shoqërisë së Stambollit, për shembull shkronja ç dhe q. Pra ishte një shkrirje e alfabeteve të veriut dhe të jugut.
Deri ku ka shkuar ideologjia komuniste me Kongresin, duke marrë parasysh që disa krerë të tij u shpallën të padëshiruar për kohën si Fishta, Frashëri dhe klerikë të tjerë.
Po është e vërtetë, edhe studimet që janë bërë për Kongresin e Manastirit në këtë drejtim janë të mangëta, sepse asnjëherë nuk është shpallur komisioni i plotë i këtij Kongresi, sepse në krye të tij ka qenë poeti Gjergj Fishta, i cili është denigruar, mënjanuar, dhe i janë vënë epitete që nuk i takojnë. Një arsye tjetër ka qenë se në të bënte pjesë edhe Mithat Frashëri. Ishin dy figura qendrore.
Pas 90-ës Fishta doli me gjithë madhështinë e tij, madje edhe një monografi që patën punuar profesor Demiraj me Kristaq Priftin e kanë ripunuar sepse edhe ata e ndjenë
këtë mangësi që nuk kanë përmendur figurat kryesore, duke vënë në vend mangësitë e botimit të parë që ishin të diktuara nga shkaqe politike.
Pra mbeten për t'u riparë ato punime që janë shkruar dhe për të kërkuar më tej në arkiva?
Nuk janë eksploruar të gjitha materialet e Kongresit të Manastirit. Ishte interesant fakti që në Zagreb referoi një studiues i ri nga Zvicra, i cili kishte hulumtuar në arkivat e Vjenës ku kishte gjetur 2500 faqe dorëshkrime mbi Kongresin. Do të ishte një ndihmë shumë e madhe që këto materiale të gjenin dritën e botimit.