E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Sukseset janë detyrë për qeveritë"

 

Sapo lexova lajmin "Durrës, kapen 7 klandestinë në një kontenier, tentuan të shkonin ilegalisht në Itali".

Për mua nuk është "lajm" është "shenjë"! Është "shenjë" që sot ne vazhdojmë akoma të arratisemi nga vendi. Është "shenjë" që gardhi i vizave vazhdon të qëndrojë po aq fuqishëm sa edhe më parë. Është "shenjë" e paturpësisë politike që gëlon e të mbyt në çdo hap! Kush ka sy e shikon.

Është shenjë e keqe që të lë njollë. Është shenjë dhe njollë e hipokrizisë dhe mashtrimit të lëvizjes së lirë. Premtim si nga ana e ambasadave për liberalizim të vizave, ashtu edhe nga ana e qeverisë, për arritje dhe suksese që do të bëjnë lehtësimin e marrjes së vizave.

Qeveritë tona i kap dehja e euforisë dhe vetëm numërojnë arritje dhe suksese (siç bëmë për 50 vjet, ashtu vazhdojmë edhe sot), bëjnë paradë suksesesh. Dalin të gjithë në TV (pa përjashtim) dhe për çudi, deklarojnë se qeveria ka bërë këtë edhe atë...

More zotërinj edhe nëse ka bërë ndonjë gjë të mirë, është detyrë e saj dhe nuk ka bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme. A e arrin dot ti si qeveri (pa përjashtuar asnjërën) që t'i krijosh kushte njerëzve që të mos ikin klandestinë (duke rrezikuar jetën), por të jetojnë këtu si të barabartë me ata ku duan të syrgjynosen, a je i aftë ti si politikan të krijosh kushte që të kthehet edhe ai që ka ikur dhe të jetojë ashtu siç jeton atje ku është syrgjynosur? Apo fundja të jetojë të paktën si jeton ti dhe familja jote, zoti politikan!

Po krijove këto, atëherë dil e mburru sa të duash sepse unë do iki për të bërë qejf dhe do të kthehem në shtëpinë time.

Juve këtë nuk jeni të aftë ta bëni dhe prandaj ambasadat tallen me këtë milet, aq sa edhe sportistëve nuk ju japin viza dhe djegin aktivitetet ndërkombëtare. Dhe më qesharake është se pasi të refuzojnë vizën, as nuk të sqarojnë përse-në, por të japin një copë pusullë ku të drejtojnë tek Avokati i Lazios, që të ankohesh. Pra, t'i japësh edhe avokatit të tyre ca para, pasi ke shpenzuar gjithë atë kohë dhe para për ambasadën dhe noterët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›