I akuzuar për plagjiaturë në “Gomorra”
Bëri bujë të madhe kur doli në Itali, por edhe në vende të tjera, që përmendeshin në të, mes të cilëve edhe Shqipëria. Një libër i tillë, i guximshëm, që fliste për mafien italiane e më gjerë nuk mund të kalonte pa u vënë re. Aq më tepër që u kthye edhe në film e shëtiti kinematë dhe festivalet e botës. Bëhet fjalë për “Gomorrën”, romanin e Roberto Savianos, i cili këto ditë po lakohet nëpër mediat italiane, për akuzat për plagjiaturë. Është një gazetar i kronikës së zezë, ai që akuzon Savianon për plagjiaturë, për vjedhje të shkrimeve dhe citime fjalë për fjalë në librin e tij. Dhe nuk janë vetëm fjalë gazetash. Çështja ka marrë karakter gjyqësor. Është 500 mijë euro kërkesa për kompensim të dëmit moral e material, ndaj imazhit personal dhe profesional, që gazetari Simone Di Meo, i ka kërkuar shkrimtarit Roberto Saviano, përmes avokatit të tij Andrea Portaro. Sipas gazetarit, shkrimtari ka cituar disa nga shkrimet speciale që ai ka bërë mbi kapjen e bosit të mafies, Di Lauro dhe mbi çështjen “Secondigliano”, publikuar në gazetën “Kronika nga Napoli”. Madje sipas dëshmisë së Di Meos, Saviano ka kontaktuar me gazetarin e kronikës së zezë, duke u interesuar për këto raste “për arsye personale dhe jo profesionale”.