Alfrerd Olli; Situata e zjarreve në vend, nën kontroll
Drejtori i përgjithshëm i Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, Alfred Olli, pohoi një ditë më parë për mediat se situata e krijuar pas zjarreve që prekën ditët e fundit zonat pyjore në disa qarqe të vendit është nën kontroll. Ai përmendi në veçanti situatën e rënduar nga zjarret nga 7 korriku deri më sot dhe tha se “në ndryshim nga viti i kaluar, zjarre ka pasur më shumë në zonën e jugut të Shqipërisë”. Sipas tij, kryesisht qarqet më të dëmtuara kanë qenë qarku i Vlorës, Fierit, Gjirokastrës, Beratit, Durrësit dhe deri diku ai i Korçës. Olli kujtoi me këtë rast se masat paraprake për të përballuar stinën e nxehtë janë marrë nga Emergjencat Civile që nga muaji prill. “Prefektët e qarqeve, që janë dhe kryetarë të shtabeve të emergjencave, janë angazhuar në disa struktura që të ndihmojnë në përballimin e zjarreve problematike”, - tha ai duke shtuar se "strukturat operacionale si Shërbimi Zjarrfikës, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Shërbimi Pyjor, dhe në disa raste Forcat e Armatosura të Shtabit të Përgjithshëm kanë qenë në lartësinë e duhur”. Olli përmendi rreth 65 zjarre si problematikë në të gjithë territorin e vendit, sidomos në Jugun e Shqipërisë. Sipas tij, sipërfaqet e prekura më shumë nga zjarret janë ato të bimësisë së ulët dhe të mesme si shkurre, kullota, dhe më pak dëme ka pasur në pyjet e larta masive.