Mjekësia Ligjore; Rezultatet e raportit mbi vdekjen e Naumit, javën e ardhshme
Vdekja e pakuptueshme e 53-vjeçarit Sotiraq Naumi një javë më parë në Spitalin Ushtarak do të gjejë zbardhje javën e ardhshme. Një gjë e tillë është konfirmuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, i cili është duke hartuar raportin përkatës mbi shkaqet e vdekjes pak ditë më parë të pacientit nga Korça, Naumi. Sipas specialistëve të Mjekësisë Ligjore bëhet me dije se raporti përfundimtar mbi ekspertizën e 53-vjeçarit do të përfundoj javën e ardhshme dhe pas kësaj ai do t’i kalojë për shqyrtim organit të akuzës. Ndërkohë burime të prokurorisë bëjnë me dije se, për llogari të hetimeve për këtë çështje është sekuestruar edhe kartela mjekësore e këtij shtetasi. Ndërkohë që nën hetim është marrë edhe mjeku që trajtoi këtë shtetas deri në sqarimin e plotë të ngjarjes. Sotiraq Naumi kishte mbërritur në gjendje të rëndë nga spitali i Korçës, të enjten e një jave më parë, fillimisht në spitalin numër 2 të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" të Tiranës. Me kërkesë të drejtuesve të QSUT-së, është bërë transferimi urgjent i pacientit për ekzaminim dhe terapi intensive në Spitalin Ushtarak, ku gjendeshin aparaturat e duhura për ta mbajtur sa më gjatë në jetë pacientin, për t'u dhënë kohë mjekëve që të ndërhynin. Ekipi i mjekëve ka punuar në dy drejtime, njëri për të mbajtur në jetë 53-vjeçarin dhe tjetri për të zbuluar arsyen që ka çuar në marrjen e infeksionit. Megjithëse u vendos në aparaturat e Spitalit Ushtarak, Naumi nuk mundi të jetonte aq kohë sa u duhej mjekëve për të gjetur shkakun e sëmundjes dhe terapinë për ta shpëtuar. Mjekët e Spitalit Ushtarak thanë se mikrobet që kishin infektuar gjakun e pacientit, janë rezistente ndaj antibiotikëve, dhe shkalla e rëndë e sëmundjes i bëri të kota përpjekjet për t'i shpëtuar jetën.