“Apollon”; Drogë dhe armë në Kodër-Kamëz, trafikantët tentojnë arratinë
Pas një kohe të mbajtur nën mbikëqyrje, të dy të dyshuarit u kapën në flagrancë gjatë shkëmbimit të lëndës narkotike në afërsi të vendit të quajtur Kodër-Kamëz. Ndërhyja ka qenë e befasishme, gjë që ka sjellë dhe sekuestrimin e sasisë së lëndës narkotike të fshehur në banesë. Gjatë operacionit, dy trafikantët kanë tentuar të largohen nga banesa dhe për më tepër, kanë bërë rezistencë ndaj forcave të policisë
Gjysmë kilogrami heroinë dhe dy kilogramë Kanabis sativa e sekuestruar, ndërsa në pranga janë vënë dy persona. Ky është bilanci më i fundit i forcave të Antidrogës në policinë e kryeqytetit, të cilët pas një operacioni të mirorganizuar kanë mundur të bien në gjurmët e një grupi që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike në Tiranë. Lajmi është konfirmuar nga të dhëna zyrtare të policisë së kryeqytetit pasditen e djeshme, sipas të cilave, pas një pune disajavore është finalizuar në një banesë në Kodër-Kamëz operacioni i koduar “Apollon”. Në pranga janë vënë Gerion Grabovaj, 22 vjeç, si dhe bashkëpunëtori i tij, Arben Sulka, 42 vjeç, të dy nga Tirana, ndërsa në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar 500 gr lëndë narkotike e dyshuar heroinë, 2 kg lëndë narkotike e dyshuar hashash, 1 pistoletë e markës Zastava, 30 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 2500 euro dhe 100 000 lekë të përfituara nga shitja e lëndës narkotike, 1 peshore manuale, 1 automjet tip Fiat Punto me targë AX 351 PG, si dhe 4 aparate celularë. Nga burime policore mësohet gjithashtu se të dyshuarit tentuan arratisjen dhe kur dështuan, kanë kundërshtuar forcat e Antidrogë, duke iu kundërvënë në përpjekjet për prangosje.
Pa kaluar 48 orë nga dy operacionet më të fundit antidrogë në Tiranë e Vlorë, në vazhdën e operacioneve të suksesshme të ndërmarra nga policia e kryeqytetit, rreth orës 13:00 të ditës së djeshme specialistët e Seksionit Kundër Narkotikëve në bashkëpunim me Njësinë Operacionale pranë Policisë së Tiranës finalizuan me sukses një tjetër operacion policor të koduar “Apollon”. Sipas të dhënave policore, në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur sekuestrimi i një sasie prej rreth 500 gr lëndë narkotike heroinë, 2 kg lëndë narkotike hashash, si dhe arrestimi i dy shtetasve për “prodhim e shitje të lëndëve narkotike”.
Gjithçka është bërë e mundur falë një pune disajavore duke përdorur metodat speciale të hetimit, ku strukturat e policisë bënë të mundur arrestimin në flagrancë të 22-vjeçarit Gerion Grabovaj si dhe shokut të tij, Arben Sulkës, 42 vjeç, të dy nga Tirana.
Policia tha se pas një kohe të mbajtur nën mbikëqyrje, të dy të dyshuarit u kapën në flagrancë gjatë shkëmbimit të lëndës narkotike në afërsi të vendit të quajtur Kodër-Kamëz. Ndërhyja ka qenë e befasishme, gjë që ka sjellë dhe sekuestrimin e sasisë së lëndës narkotike të fshehur në banesë. Por, gjatë kësaj kohe mësohet se dy trafikantët kanë tentuar të largohen nga banesa dhe për më tepër kanë bërë rezistencë ndaj forcave të policisë.
Ndërkohë, mësohet se të gjitha materialet hetimore në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan për hetime të mëtejshme prokurorisë për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” dhe “kundërshtim të punonjësit të policisë”.
Të arrestuar
Gerion Grabovaj, 22 vjeç
Arben Sulka, 42 vjeç, të dy nga Tirana
Sekuestruar
500 gr lëndë narkotike e dyshuar heroinë
2 kg lëndë narkotike e dyshuar hashash
1 pistoletë e markës Zastava
30 fishekë të kalibrit 7.62 mm
2500 euro dhe 100 000 lekë të përfituara nga shitja e lëndës narkotike
1 peshore manuale
1 automjet tip Fiat Punto me targë AX 351 PG
4 aparate celularë