Algjeri-Egjipt, përplasje diplomatike
Pas sfidës që Algjeria fitoi 1-0 me Egjiptin, duke u kualifikuar në Botërorin 2010, futbolli bëri një hap prapa. 15 mijë forcat e policisë në Sudan nuk arritën të neutralizonin përplasjet ndërmjet tifozerive. Autobusi me ekipin egjiptian mbërriti pa probleme në aeroport, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për tifozët. "Nile TV" transmetoi dëshmi të fansave, të cilët tregonin se si kundërshtarët e tyre i ndiqnin nëpër rrugë, duke i detyruar të fshiheshin dhe duke mos i lejuar të arrinin në aeroport. Viktima janë bërë edhe disa tregtarë egjiptianë në kryeqytetin algjerian, Algjer. Kjo ka bërë që të shpërthejë përplasja diplomatike: pas ngjarjeve, agjencia MENA raportoi se Kajro vendosi të largojë ambasadorin e saj në Algjeri. Probleme ka pasur edhe në Francë, pas konfrontimeve të tifozëve algjerianë që festonin dhe policisë: ku 150 persona u arrestuan, 63 prej të cilëve në Paris.