Elvir Muriqi kthehet tek i mirënjohuri Don King
Elvir Muriqi kthehet nën petkun e promotorit me famë botërore, Don King. "Kosovo Kid", i afirmuar mes protagonistëve të boksit botëror, në të kaluarën menaxhohej nga "Don King Production", por vendosi të kalonte te "Star Boxing". Oferta më e mirë u shoqërua nga premtimi i pambajtur se ky ndryshim do ta ndihmonte në rritjen e mëtejshme. "Kam qenë i pakënaqur me punën e administratës së Don Kingut në atë periudhë dhe kalova me shumë gëzim tek Xho DeGuardia. Fillimisht mendoja se në këtë mënyrë do të kisha shans të luftoja për titullin botëror, por kjo nuk ndodhi. Ai thjesht më ka shfrytëzuar: jam përballur me dy ish-kampionë të botës si Antonio Tarver dhe Klinton Vuds, por DeGuardia nuk ishte i interesuar që unë ta fitoja brezin, por thjesht përqendrohej te përfitimet materiale. Kam qenë viktimë në të dyja rastet. Në të dyja rastet humba prej vendimeve të padrejta të gjyqtarëve, vetëm sepse kundërshtarët kishin më shumë emër se unë", pohoi Muriqi. Boksieri shqiptar është shprehur i kënaqur me menaxhimin e ri dhe me kushtet e ofruara: "Kisha nevojë për një promotor, sepse në shumë raste merresha me punë që nuk më takonin, si përgatitjen e duelit të radhës, gjetjen e kundërshtarëve, organizimin e shumë të tjera. Tani që nuk kam më probleme të tilla, do të mendoj vetëm të përgatitem". Në fillim të vitit 2010, Muriqi mund të përballet me kampionin e botës në versionin IBF, Tavoris Klod, por nuk përjashtohet që ai të ngjitet edhe një herë në ring përpara këtij dueli.
e. k.
e. k.