E ardhmja e Gus Hidink, në dyshim
Përpara dy sfidave "play-off" me Slloveninë, Rusia shihej si favoritja kryesore për t‘u kualifikuar në Botërorin 2010. Por, në mënyrë surprizë, skuadra e drejtuar nga Gus Hidink u eliminua. Kontrata e teknikut holandez me federatën përfundon në verën e vitit 2010, por dështimi për t‘i siguruar skuadrës një vend në Afrikën e Jugut mund të vulosë fundin e aventurës së tij në Rusi. "Kam një kontratë deri në korrik 2010, që përkon me fundin e Kupës së Botës. Nevojitet edhe pak kohë për t‘iu përgjigjur pyetjes nëse do të vazhdoj punën me skuadrën ruse edhe për edicionin e Euro 2012", deklaroi trajneri. "Përpara ndeshjeve me Gjermaninë dhe Slloveninë, Federata Ruse e Futbollit (RFS) shprehu dëshirën që të vazhdonim të punonim së bashku. Megjithatë, për të ardhmen do të flasim në një fazë të mëtejshme". Hidink u emërua në krye të stolit të përfaqësueses ruse në vitin 2006.