"Unë sherr me Nallbanin? Jo, vetëm kapriçio e momentit"
Nuk kanë zgjatur më shumë se vetëm pak minuta nervat mes trajnerit të Tiranës, Alban Tafaji dhe portierit Blendi Nallbani, dy protagonistëve të një incidenti gjatë seancës stërvitore të pasdites së të mërkurës. Kjo, për faktin se tashmë mes tyre nuk ekziston asnjë mosmarrëveshje. Edhe pse u mendua se mund të shndërrohej në një çështje në kampin bardheblu, gjithçka është sheshuar brenda pak kohësh. Një gjë e tillë është konfirmuar nga vetë trajneri Alban Tafaji në prononcimin e tij të fundit për shtyp. Tekniku bardheblu, i cili debatoi ashpër me portierin veteran gjatë stërvitjes së të mërkurës, gjë që më pas solli edhe largimin në mënyrë demonstrative të Nallbanit nga stërvitja, e ka konsideruar tashmë atë si një çështje të mbyllur, duke e quajtur si "një kapriçio të momentit, asgjë për t‘u shënuar". Ndërkohë që po dje kishte zbutur tonet edhe vetë portieri, i cili theksoi: "Ishte një moment nervozizmi, nuk kam asgjë me Tafajin".
A. M.
A. M.