Kosova, me një peshëngritës në Botërorin e Koresë së Jugut
Një kosovar për herë të parë në një Botëror të Peshëngritjes. Ky është lajmi që mbërrin nga shteti më i ri i globit, i cili do të debutojë më 17 nëntor në një kompeticion të tillë ndërkombëtar si Kampionati Botëror i Peshëngritjes, që do të zhvillohet në Korenë e Jugut, turne që do të zgjasë deri më 29 nëntor. Federata e Kosovës ka bërë të ditur nëpërmjet sekretarit të saj, Astrit Hasani, se objektivi i tyre në këtë eveniment do të jetë arritja e një paraqitjeje të mirë. "Që nga koha që jemi pranuar në Federatën e Peshëngritjes Ndërkombëtare, kjo është hera e parë që Kosova do të marrë pjesë në botërorin që mbahet në Gojang, afër Seulit në Korenë e Jugut. Emri i sportistit të vetëm që do të përfaqësojë Kosovën në këtë botëror është Hazir Brahimi, i cili do të garojë në kategorinë 85 kilogramë". Një tjetër lajm interesant në lidhje me këtë fakt ka të bëjë se Brahimi po stërvitet nga një prej ekspertëve shqiptarë të këtij sporti, pikërisht Faruk Kalleshi, i cili vetëm pak muaj më parë është rikthyer nga pezullimi dyvjeçar, për shkak se sportistja e tij, Fetije Kasaj, ish-nënkampione e botës, rezultoi pozitive me doping pas një kontrolli. Fakti se Federata Kosovare e Peshëngritjes është krijuar vitet e fundit dhe potenciali i saj financiar lë shumë për të dëshiruar, shpenzimet për këtë aktivitet do të paguhen nga dy sponsorë, si Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës dhe "Besa Segurity". "Me Brahimin synojmë paraqitje të mirë në këtë botëror, ku do të jetë hera e parë që jemi pjesëmarrës dhe në fakt na mungon edhe përvoja, tha Hasani. E rëndësishme është që të shpalosim vlerat tona në botëror. Qëllimi ynë në Seul, përveç pjesëmarrjes në botëror, është që të kërkojmë edhe donacione nga Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes". Trajneri nga Shqipëria, Faruk Kalleshi, është duke punuar edhe me klubin e peshëngritjes së Prishtinës dhe ka premtuar se për dy vite do të nxjerrë talente që do të shkëlqejnë në garat e ndryshme ndërkombëtare. "Fetije Kasa nga Shqipëria është peshëngritëse nënkampione e botës dhe kalibër të tillë do të krijoj edhe në Kosovë", citon Hasani fjalët e trajnerit Kalleshi.
A. Manallari
A. Manallari